Në dalje të mbledhjes me disa prej drejtuesve politik të PS-së, kryeministri Rama ka folur në lidhje me dekretin e Metës për kodin zgjedhor.
Rama ka përmbledhur me pak fjalë duke thënë se kodi zgjedhor do të miratohet njëlloj siç ishte, me të njëjtat numra votash. Madje ai shtoi se vullnetin e parlamentit nuk mund ta vërë në diskutim askush, e ‘aq më pak Ilir Meta.
Rama: Pa asnjë ndryshim pikë dhe presje do votojmë kodin siç është votuar nga parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund ta vërë në diskutim vullnetin e parlamentit dhe aq më pak Ilir Meta.
Këtë të hënë Rama mblodhi në selinë rozë drejtuesit politik. Ashtu si çdo javë këta të fundit i kanë raportuar kreut tq qeverisë për punën e kryer deri më tani në lidhje me përgatitjet e socialistëve për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.