string(78) "rama-kemi-program-qeverises-dhe-jo-te-deshirave-elektorale-monitorohemi-nga-be"

Shqiperi

Gazeta Express

08/04/2025 9:29

Rama: Kemi program qeverisës dhe jo të dëshirave elektorale, monitorohemi nga BE

Shqiperi

Gazeta Express

08/04/2025 9:29

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se programi qeverisës i mazhorancës që ai drejton është i detajuar për çdo sektori dhe si ai ndiqet dhe monitorohet nga Bashkimi Europian.

Në rubrikën “Sy m’sy”, ku kryeministri ka zgjedhur t’u përgjigjet ndjekësve të tij, Rama premtoi edhe rritje të pensioneve.

Qëndrimin tonë për pensionet, vijoi ai, e kemi bërë publik në prezantimin e objektivave të programit tonë qeverisës.

“Kemi program qeverisës dhe jo të dëshirave elektorale. Programi i qeverisë është i detajuar në çdo sektor e drejtim, sepse përndryshe Bashkimi Europian nuk do të na llogariste fare si shtet. Programi ynë qeverisës ndiqet dhe monitorohet nga BE bazuar mbi çfarë shkruajmë e bëjmë“, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, jo rrallë herë BE shpreh rezerva të mos shkohet më tej me programin pasi mund të mos përputhet me ndonjë normë apo rregull të familjes ku Shqipëria do të shkojë.

Rama po ashtu iu përgjigj një ndjekësi për marrëveshjen e qytetarëve me kompaninë publike OSHEE për pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste.

Sipas tij, kjo marrëveshje po vijon të zbatohet dhe se do të mbetet në fuqi.

“OSHEE është një ndërmarrje publike që nuk mund ë funksionojë sipas dëshirave dhe nuk ka asnjë lidhje me fushatën”, theksoi Rama.

Ai foli dhe për taksat, duke iu përgjigjur një komentuesi që pyet se ku shkojnë ato.

“Flasin për taksat zakonisht ata që nuk paguajnë. Taksat e qytetarëve janë kudo, ku mund të hedhësh sytë, në pagat e rritura të shqiptarëve. Sot paga mesatare në sektorin publik, bazuar në të dhënat e INSTAT në fund të vitit 2024 është 1 mijë euro”, deklaroi kryeministri.

Kjo, theksoi ai, është një rritje domethënëse.

“Brenda kësaj page janë pagat e mësuesve, të mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, etj”, shtoi Rama.

Po ashtu, theksoi ai, taksat janë në të gjitha investimet që janë bërë.

“Janë 53 spitale të reja të rindërtuara nga themeli ose 10 prej tyre të bëra nga e para që nuk ekzistonin. Në 430 shkolla të reja. Janë në mbi 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rindërtuara nga e para ose që nuk ekzistonin”, tha ai.

Njëkohësisht, Rama vuri në dukje se investimet përmes taksave kanë përmirësuar infrastrukturën në qytete, çka edhe ka bërë që Shqipëria të vizitohet prej 12 milionë turistësh.

“Sot mirëpresim 12 milionë turistë në vit dhe që vijnë se kanë ku shkojnë. Deri dje nuk bëje dot një foto në një qytet, sepse ishte tmerr”, u shpreh Rama.