Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se pensionistët do të përfitojnë jo vetëm bonusin e fundvitit në dhjetor, por edhe një rritje të përhershme të pensioneve duke nisur nga janari 2026. Sipas Ramës, kjo rritje do të jetë mbi indeksimin e zakonshëm vjetor dhe synon të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e pensionistëve shqiptarë.
“Pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje të shtrirë muaj pas muaji përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht,” deklaroi Rama në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Fjala e plotë e Ramës:
Përshëndetje dhe një ditë sa më të mbarë të gjithëve!
Mbrëmë i përcollën parlamentit projekt buxhetin 2026 dhe jam realisht i lumtur sot, se kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por jam i lumtur sot t’u them pensionistëve se mu ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Siç e kam thënë gjithnjë, kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, pensionet, por më në fund, pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që mezi mbajmë këmbë, po jemi një vend me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam. Të arrijmë vit pas viti të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori.
Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht.
Konkretisht, sipas kategorive në fund të mandatit, duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:
Pensioni urban me vitet plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 mijë 350, që është sot.
Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15 mijë e 850 lekë, që është sot.
Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 500, që është sot.
Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11 mijë e 400, që është sot.
Dhe pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot.
Prandaj nga janari i vitit të ri, 2026, pensionet do të rriten çdo muaj si vijon e përsërisë përtej indeksimit vjetor që do të jetë një tjetër gjë.
Pensioni urban në vitet të plota pune do të rritet 1 mijë e 800 lekë,
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë,
Pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë,
Pensioni familjar do të rritet 700 lekë,
Pensioni i invaliditetit do të rritet 600 lekë.
Në vitet në vijim, të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen 2028, do të katërfishohen 2029 për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti, ku shqiptarët na dhanë plot 83 mandate.
Ky jam unë, këta jemi ne.
Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë gjithnjë atë që themi.