Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike në Sauk, Tiranë.
I konsideruar si Poli i Sigurisë Kibernetike, në këtë kompleks godinash do të vendosen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (ACESK) si dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF).
Bashkë me Ramën ishte edhe Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila dha detaje mbi projektin.
“Ndodhemi në kthesën e Saukut, në akses të plotë me dalje në Unazën e Madhe të Tiranës. Ky pozicion është zgjedhur për të ndërtuar Polin e Sigurisë Kibernetike, ku këtu do akomodohet ACESK-u, ASIG DHE AIF, Agjencia e Inteligjencës Financiare. Është një sipërfaqe 9600 m katrorë ku kemi një ndërtesë ekzistuese të mbetur nga disa projekte private të mëparshme, por pasi kemi bërë të gjithë procedurat e duhura për sa i përket shkëmbimit të truallit dhe pasi kemi arritur që të kemi një detyrë projektimi shumë të mirë nga të tre ndërmarrjet, institucionet që do jenë pjesë e këtij Poli, tashmë kemi një projekt dhe jemi gati të fillojmë me kantierin.
Parashikohet që të kemi një ndërtesë mbi tokë që do të arrijë në 4000 metra katrorë, ndërkohë që nëntoka arrin në 5800 metra katrorë ku një pjesë e zyrave do jenë në nivelin -1 për arsye sigurie, ku ndodhen serverët dhe zyrat e tjera te operimeve. Nga ana tjetër, kati -2 do të jetë parkim me mbi 115 vende parkimi.” – shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku.
Ndërsa Rama inkurajoi për përfundimin e punimeve edhe më herët se afati i parashikuar.
“Kompaninë e kemi ‘shalqi me provë’ dhe kam shumë besim që do të bëhet jo vetëm punë shumë cilësore, por edhe në afat. Afati i përfundimit është për 18 muaj, por mbase edhe nga eksperienca me ju, edhe më shpejt mund të mbyllet. Është shumë e rëndësishme për ne kjo godinë, se faktikisht është një godinë me standarde të sigurisë së lartë, për vetë aktivitetin që kryhet brenda saj, qoftë nga agjencia e mbrojtjes kibernetike që siç e tha dhe zëvendëskryeministrja, ka marrë një rëndësi të veçantë, por dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe së fundmi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë realisht në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen, qoftë për klasikun që merret me të gjitha të dhënat gjeohapësinore të vendit, dhe qoftë për Agjencinë e Inteligjencës Artificiale që ka një punë shumë të ndjeshme për shkak të sensibilitetit të të dhënave që lidhen me transaksionet financiare dhe që është një agjenci kyç qoftë përsa i përket daljes së Shqipërisë nga lista gri, qoftë sa i përket gjithë përpjekjes për të luftuar me evazionin, por në radhë të parë me paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Kështu që, realisht është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm besoj, se është dhe e shkëputur, por dhe afër qendrës edhe përsa i përket trafikut, por edhe si fazë e parë e asaj që vjen nga mbrapa për të ndërtuar më tej standarde të reja për gjithë pjesën e akademisë, policisë dhe akademisë së sigurisë.” – u shpreh Kryeministri.

Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...