Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se duke filluar nga muaji maj, do të zbatohet një fazë e re për formalizimin e strukturave hoteliere në Shqipëri.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj në Shkodër, ai theksoi se sektori i hoteleri-turizmit, përfshirë platformën Airbnb, ka pasur disa probleme me deklarimin e fitimeve, duke shtuar se TVSH-ja më e ulët në Europë është ofruar qëllimisht për të mbështetur sektorin.
Rama theksoi se: “Ne kemi TVSH-në më të ulët në Europë dhe rajon, e kemi 6% TVSH-në e hoteleve dhe e kemi bërë qëllimisht për t’i dhënë mundësi hoteleve që të fitojnë në atë fazën e parë, por edhe për të formalizuar dhe për të fituar”.Ai gjithashtu bëri të ditur se nga maji do të mundësohet një marrëveshje me tatimet, ku sipërmarrësit mund të deklarojnë “65% të kapaciteteve të zëna për periudhën qershor-gusht, duke shmangur kontrollet tatimore“. Rama shtoi: “Kontrollet janë të pakëndshme për një mijë e një arsye, më mirë bën marrëveshje se sa të vijnë të të kontrollojnë”.Ai gjithashtu bëri të ditur se për vitin e ardhshëm po punohet për një zgjidhje dixhitale që do të përfshijë edhe Airbnb, pa shkaktuar shqetësime për bizneset.