Rama: Fokusi i shërbimit diplomatik, tek objektivi i anëtarësimit në BE! Të përmbushim pritshmëritë për samitin e NATO-s në 2027-ën - Gazeta Express
string(128) "rama-fokusi-i-sherbimit-diplomatik-tek-objektivi-i-anetaresimit-ne-be-te-permbushim-pritshmerite-per-samitin-e-nato-s-ne-2027-en"

Shqiperi

Gazeta Express

08/09/2025 11:57

Rama: Fokusi i shërbimit diplomatik, tek objektivi i anëtarësimit në BE! Të përmbushim pritshmëritë për samitin e NATO-s në 2027-ën

Shqiperi

Gazeta Express

08/09/2025 11:57

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Konferencën 3-ditore të Ambasadorëve, i kërkoi shërbimit diplomatik shqiptar një riorientim të plotë drejt objektivave madhore të politikës së jashtme, me theks të veçantë tek procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumëndërruar të BE-së dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo, nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë tek ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me finalizimin me sukses të procesit të negociatave për anëtarësim, me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit në 27 parlamentet të vendeve anëtare të BE-së”.

Rama e cilësoi këtë periudhë si vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai theksoi se katër vitet e ardhshme janë kritike për përmbylljen me sukses të negociatave dhe ratifikimin e anëtarësimit në 27 parlamentet e vendeve anëtare. “Koha nuk pret. Çdo ditë duhet shfrytëzuar për të garantuar mbështetje politike dhe publike në vendet e BE-së”, tha Rama.

Një nga pikat ku kreu i qeverisë ndali me ton kritik ishte diplomacia ekonomike, të cilën e cilësoi “hallka më të dobët” të punës së shërbimit diplomatik.“Kontributi ynë në këtë fushë është thuajse inekzistent, përjashto raste të veçanta. Duhet një angazhim i drejtpërdrejtë me botën e biznesit, sidomos në vendet evropiane dhe ato të Gjirit, ku marrëdhëniet politike janë në nivel shumë të mirë”, u shpreh ai.

Rama kërkoi krijimin e një databaze kombëtare me profesionistët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e një regjistri të tillë. “Jemi një vend i vogël, nuk kemi luksin të mos njohim kapitalin tonë njerëzor jashtë Shqipërisë. Minimalisht, dijeninë për ta duhet ta garantojë shërbimi diplomatik”, tha ai.

Në fjalën e tij, Rama përmendi edhe pritjen e Samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027, të cilin e quajti një “moment historik” për imazhin e vendit. Ai kërkoi përgatitje serioze. “ne duhet të përmbushim ashtu siç duhet të gjitha pritshmëritë që janë nga ana e Shqipërisë, ndaj Shqipërisë dhe t’i tejkalojmë ato duke e shfrytëzuar si një moment kur Shqipëria përsëri mund dhe do të shkëlqejë botërisht”.

Rama u shpreh se, “është e domosdoshme që shërbimi ynë të zhdërvjelltësohet, që shërbimi ynë të jetë një pikë referimi për talentet, për vajzat dhe djemtë që kanë dije dhe kanë ambicie për t’i shërbyer Shqipërisë dhe nga ana tjetër të rrisë kapacitetin për të shkuar përtej rutinës së përditshme”.