string(88) "rama-devolli-ka-pasur-deputet-dritero-agollin-keneta-ju-ka-sjelle-nje-rrugac-si-nallbati"

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 13:30

Rama: Devolli ka pasur deputet Dritëro Agollin, “këneta” ju ka sjellë një rrugaç si Nallbati

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 13:30

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot ngjarjen e pak ditëve më parë në Devoll, ku kandidati i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati dhe vëllai i tij u përfshinë në konflikt me shoferin e një kamioni.

Rama ishte sot në Devoll ku prezantoi arritjet kyçe të qarkut Korçë për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

Fillimisht kryeministri u ndal te bashkia e Devollit, një krahinë që sipas tij i ka dhënë Shqipërisë shkrimtarin e shquar Dritëro Agolli.

“Dritëro Agolli është përfaqësuesi i Devollit pa kufij. Devolli e respektonte si birin e tij dhe nuk e shihte as si të majtë, as si komunist, as si asnjë gjë tjetër. Dritëro Agolli është krenaria e popullit tonë, e kombit dhe e Devollit. Devolli kishte Dritëro Agollin deputet në parlament”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri komentoi ngjarjen ku u përfshi Nallbati, ndërsa shtoi se “kjo tregon se ku ka rënë pazari i opozitës”.

“Këtu jemi në një pedonale që nuk përfundoi dot dhe nga ana tjetër e pedonales së papërfunduar para pak ditësh ju të gjithë ishit dëshmitarë të një skene që tregoi se ku ka rënë pazari i opozitës në Shqipëri”, tha Rama.

Ram tha se Dritëro Agolli ishte deputet i opozitës atëherë, nuk ishte deputet i pushtetit dhe fliste për të gjithë popullin.

“Ndërkohë që Devolli ka sjellë në parlament një rrugaç të një niveli që unë nuk e di se në cilën vjershë të Dritëro Agollit mund të gjente vend, po ma ha mendja te fjala ‘kokëbosh’ dhe ‘trangull’ që Dritëroi e përdor. Ai gjen vend komplet aty. Si mundet demokratët e Devollit të votojnë për një rrugaç dhe nuk është një por janë një grup rrugaçësh”, tha Rama.

Rama theksoi se nuk e kupton dot se si demokratët e Devollit mund të çojnë në Kuvend një turp vendor, ndërkohë që Devolli është përfaqësuar me Dritëro Agollin.

“Ju e dini shumë mirë kush është rrugaçi kryesor dhe pse ky rrugaçi kryesor bën si i fortë dhe ndjehet me shpatulla të ngrohta. Si mund të ndodhi kjo? Demokratët këtu mund të kenë një mijë e një arsye të mos duan Niko Peleshin, apo mua, po si mund të bjeri pazari deri në pikën kur t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë nga Dritëro Agolli, te një rrugaç, nga një poet kombëtar te një turp vendor. Këtu më duket fundi, si mundet të bëhet kjo punë”, tha Rama.

“Atë rrugaçin këtu jua sjell këneta nga Tirana. Mirë që gjithë këto vite nuk u gjet asnjë djalë, e as një mik që t’i thoshte baba bufit lëre këtë muhabet se nuk vazhdohet më kjo punë, por sot zogjtë e tij e marrin me tendë, se diellin nuk e mban më, dhe e sjellin vërdallë nëpër Shqipëri. Një njeri të mbaruar, të dëshpëruar, mosha e ka lajthitur komplet”, tha Rama.

Rama u shpreh se në Devoll është i dyfishtë problemi, ndaj u bëri thirrje demokratëve të Devollit të shpëtojnë nga këneta.

“Demokratët e Devollit hyjnë në gjynah se çojnë rrugeçër në Tiranë nga Devolli, që është vendi i njerëzve më punëtorë. Por kur na çoni rrugeçër atje, një gjysmak, një çyryk që nuk ka lënë rast pa e treguar, pa i rënë gjoksit, pa bërë gjeste për të thënë ‘unë jam çyryk’. Ne duam të jemi bashkë me ju. Pa ju do të fitojmë, puna është që bashkë me ju ne të bëjmë atë që na takon për Shqipërinë, dhe një rrugë e dy punë edhe shpëtoni nga këneta”, tha Rama.

Kryeministri iu drejtua atyre që dëgjojnë fjalën e tij përtej Devollit, duke thënë se “janë dy vëllezër këtu njëri katran dhe tjetri katran me bojë që është një pëllëmbë mbi tokë”.

“Kanë bërë një skandal këtu e kanë rrahur njerëz. Këta do bëjnë Devollin madhështor bashkë me të vëllanë që tani është pas hekurave”, shtoi Rama.