Gjatë një eventi të organizuar në Tiranë, “Match-Maker Albania 2025”, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje investitorëve të huaj që të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se kjo është periudha ideale. Rama u shpreh se Shqipëria është një vend me potencial të jashtëzakonshëm, por ende shumë pak njohur për mundësitë që ofron.
“Nuk dua të mbaj një fjalë të gjatë, sepse jam i sigurt që ju tashmë e dini për mundësinë që ofron Shqipëria. Po dua të them thjesht: kjo është koha për të investuar, për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri, sepse nesër do të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të vijnë dhe do të jetë shumë më shtrenjtë”, tha Rama.
Rama bëri gjithashtu një thirrje për të investuar në malet e Shqipërisë, duke theksuar se këto hapësira natyrore janë një mundësi e pazbuluar ende nga shumica. “Për ata që e njohin Shqipërinë vetëm përmes detit ose qyteteve, unë po u them se më e mira është në male. Çdo investim që bëni sot në male do t’ju shpërblehet shumëfish në të ardhmen”, shtoi ai.Ky event, që mblodhi mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, ishte një mundësi e shkëlqyer për të lidhur eksportuesit shqiptarë me tregjet ndërkombëtare dhe për të prezantuar mundësitë për investime në Shqipëri.