Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj ndërtimit pa leje të një “fshati turistik” në Theth, duke e cilësuar atë si “masakër të mirëfilltë” dhe kritikoi prokuroren Elsa Gjeli për vendimin e mosfillimit të hetimit penal.
Rama tha se ndërtimi është bërë në “zemër të Thethit”, një zonë e mbrojtur ligjërisht, dhe shprehu habinë e tij për mosveprimin e prokurorisë: “Si ka mundësi, si është e mundur që pasi inspektorati dhe policia konstatojnë një ndërhyrje të tillë, dhe përcjellin rastin në prokurori, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por mosfillimin e çështjes.”
Ai kritikoi ashpër vendimin e prokurores Gjeli: “E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot të kuptoja, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Dhe po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli.”
Kryeministri paralajmëroi masa ndaj prokurores: “Unë i kam kërkuar ministrisë së Drejtësisë të veprojë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin dhe qytetarët, dhe është e padenjë të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.”
Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës reagoi duke shpjeguar arsyet për mosfillimin e hetimit penal, duke theksuar se vendimi është marrë në përputhje me ligjin: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston.”
Sipas Prokurorisë, strukturat e vendosura në Theth janë kontenjerë të përkohshëm, pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe për këtë arsye nuk përbëjnë “ndërtim të paligjshëm” sipas ligjit: “Vetë Policia është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por mbi rrasa guri të prera.”
Prokuroria shton se strukturat e përkohshme të vendosura pa themele dhe me materiale të çmontueshme nuk kërkojnë leje ndërtimi, por vetëm një deklaratë paraprake: “Sipas VKM nr. 408, datë 13.05.2015, këto struktura nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi.”Gjithashtu, Prokuroria nënvizon pavarësinë e saj dhe respektin për Kushtetutën: “Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe ligji. Çdo vendim merret mbi bazën e fakteve dhe provave, jashtë çdo ndikimi politik.”
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...