Rajoni i Prishtinës vazhdon të mbetet pa ujë - Gazeta Express

Rajoni i Prishtinës vazhdon të mbetet pa ujë

Lajme

Gazeta Express

26/01/2021 8:20

Qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit e Drenasit po vazhdojnë të përballen me reduktime e shpeshherë edhe me ndërprerje të ujit të pijshëm.

Gjatë së hënës banorët e disa lagjeve të Prishtinës janë përballur sërish me mungesë të ujit.

Kompania e Ujësjellësit Rajonal, KRU “Prishtina” të hënën ka lëshuar një komunikatë për media nëpërmjet së cilës thuhet se ndërprerja e ujit vie si pasojë e turbullirës së krijuar në kanalin e Ibrit.

Gjithë kjo sipas tyre po ndodhë pas reshjeve të shiut që po vazhdojnë që nga ditët e para të janarit.

“Të nderuar konsumatorë të Fushë Kosovës, Drenasit, Obiliqit, lagjes ” Kalabria” në Prishtinë, Lagjes Mati 1, etj., ju që keni ndërprerje uji si pasojë e turbullirës së krijuar në kanalin e Ibrit. Ju njoftojmë se, drejtoresha teknike me ekipe shtesë aktualisht janë në terren për realizimin e alternativave teknike për furnizim me ujë nga linjat e tjera, për zonat që kanë probleme me furnizim. Në anën tjetër, kërkojmë mirëkuptim nga ana juaj, pasi që kjo situatë është krijuar nga reshjet atmosferike kohëve të fundit. Duhet kuptuar që jemi në situatë emergjente pas vërshimeve. Përkushtimi nga ana jonë është i madh, kështu që ju lusim të kuptoni gjendjen e krijuar nga natyra. Nuk është as dëshirë e jona të qëndrojmë në terren për të gjetur zgjidhje sa më shpejtë. Nesër në mëngjes, pritet stabilizimi i gjendjes”, thuhet në komunikatën për media nga KRU “Prishtina”.