Radoniqi:Zgjedhjet nuk janë veç garë për pushtet, janë themel i demokracisë - Gazeta Express
string(73) "radoniqizgjedhjet-nuk-jane-vec-gare-per-pushtet-jane-themel-i-demokracise"

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 12:16

Radoniqi:Zgjedhjet nuk janë veç garë për pushtet, janë themel i demokracisë

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 12:16

Në ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se procesi për zgjedhjet lokale ka hyrë pothuajse në fazën përfundimtare. Ai tha se zgjedhjet janë themeli i demokracisë.

“Kjo ngjarje ka simbolikën e vetë pasi thuajse kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor të cilën kemi filluar ta përgatisim që nga muaji qershor. Zgjedhjet janë themeli i një demokracie pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivel in qendror dhe lokal. Në këtë drejtim, KQZ ka detyrë të rëndësisë së veçantë, të sigurojë proceset zgjedhore në Kosovë të jenë të lira, të drejta, transparente, të mbështetura në Kushtetutë, Ligjin për Zgjedhjet dhe të mbështetura në standardet më të mira ndërkombëtare”, tha ai para të pranishmëve në këtë ngjarje.

Ai tha se që nga mesi i muajit qershor KQZ-ja  është angazhuar intensivisht për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe se aktivitetet po realizohen sipas planit.

“Sot ndodhemi në një fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor, sepse pas tërheqjes së shortit, KQZ do të miratojë dizajnin për përmbajtjen e fletëvotimeve për të mundësuar nga 17 shtatori fillimin e votimit me postë për mbi 46 mijë votues jashtë Kosovës. Gjithashtu aktiviteti i sotëm i hapë rrugë subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre që nga 13 shtatori të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore”, shtoi tutje ai.

Radoniqi, si drejtues i KQZ-së u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike e kandidatëve që të angazhohen për një proces zgjedhor duke respektuar ligjet e rregullat zgjedhore në fuqi.

“Zgjedhjet nuk janë vetëm një garë për pushtet, por edhe një proces i rëndësishëm për demokracinë. Vlerësoj që secili prej nesh ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij procesi”, deklaroi Radoniqi.

Ndërkohë, paraprakisht zëdhënësi Valmir Elezi tregoi se për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, deklaroi ai.