Qyteti turistik francez u vendos gjoba vizitorëve “gjysmë të zhveshur”, kryetari: Nëse doni ta tregoni trupin, i keni 11km plazh - Gazeta Express
string(123) "qyteti-turistik-francez-u-vendos-gjoba-vizitoreve-gjysme-te-zhveshur-kryetari-nese-doni-ta-tregoni-trupin-i-keni-11km-plazh"

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 18:01

Qyteti turistik francez u vendos gjoba vizitorëve “gjysmë të zhveshur”, kryetari: Nëse doni ta tregoni trupin, i keni 11km plazh

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 18:01

Një qytet turistik francez ka vendosur gjoba për personat që shëtisin topless ose me rroba banje kudo tjetër përveç plazhit, shkruan CNN.

Autoritetet në Les Sables d’Olonne, i vendosur në rajonin Vendée në bregun atlantik të Francës, kanë shpallur gjoba deri në 150 euro për ata që ecin nëpër qytet “gjysmë të zhveshur”, sipas një postimi në Facebook të kryetarit të bashkisë Yannick Moreau.

Duke kritikuar burrat topless, Moreau e quajti këtë “sjellje të pahijshme”.

“Është çështje respekti për banorët që nuk duan njerëz që bredhin nëpër qytetin e tyre gjysmë të zhveshur”, shkroi ai.

“Është gjithashtu një rregull për higjienën bazë në tregjet tona, dyqanet dhe rrugët tona”, shtoi Moreau, i cili u bëri thirrje forcave lokale të rendit që të sigurojnë zbatimin e këtij rregulli.

“Nëse doni t’i tregoni muskujt e gjoksit dhe rrobat tuaja më të mira të larjes në Les Sables d’Olonne, ju keni në dispozicion 11 kilometra plazh”, tha ai.

Postimi i Moreau-s ishte i shoqëruar me një imazh të një posteri që njoftonte gjobën, me sloganin “Në Les Sables d’Olonne, respekti nuk shkon me pushime”.

Ky vendim duket se është pritur mirë, me shumë përdorues të Facebook-ut që kanë lënë komente pozitive nën postimin e kryetarit.

“Faleminderit, kryetar. E gjej këtë plotësisht të patolerueshme”, shkroi Dominique Camio-Martial.

Claire Gourlaouen shtoi: “Prindërit e mi janë tregtarë, ndonjëherë u kërkojnë njerëzve të vishen”.

Megjithatë, disa sugjeruan se ka gjëra më të rëndësishme për t’u shqetësuar, si për shembull trajtimi i krimit.

Les Sables d’Olonne është më i fundit në një sërë qytetesh franceze që po ndërmarrin masa kundër asaj që shihet si sjellje e pavend.

Në Arcachon, një tjetër vend pushimi i njohur në bregun perëndimor, autoritetet kanë vendosur gjithashtu një gjobë prej 150 eurosh për këdo që ecën nëpër qytet i zhveshur.

Në jug të vendit, qyteti La Grande-Motte ka vendosur gjithashtu një gjobë prej 150 eurosh për veshje të pahijshme në çdo pjesë të qytetit përveç plazhit apo shëtitores buzë detit.

Dhe nuk është vetëm Franca që po përpiqet ta përmirësojë sjelljen e vizitorëve.

Në vitin 2023, autoritetet në qytetin spanjoll të Malagës njoftuan se kushdo që shihej në rrugë apo në hapësira publike pa rroba ose vetëm me të brendshme, do të përballej me një gjobë deri në 750 euro.

Dhe në shtator të vitit të kaluar, bashkia vendosi tabela informuese që synonin t’i edukonin turistët mbi sjelljen e përshtatshme gjatë vizitës së tyre, përfshirë edhe një që i kujtonte atyre të visheshin.