Pas një rrugëtimi dramatik që përfshiu rënie të dhimbshme, krizë financiare dhe afërsi me zhdukjen, Real Oviedo është rikthyer më në fund në elitën e futbollit spanjoll – La Liga, pas 24 vitesh mungesë.
Në qendër të këtij suksesi historik qëndron një emër legjendar: Santi Cazorla.
Kur Oviedo zbriti nga La Liga në vitin 2000, Cazorla ishte vetëm 16-vjeçar. Sot, në moshën 40-vjeçare, ai është fytyra e këtij kthimi të madh.
Me përvojën, dashurinë për klubin dhe sakrificat e tij, Cazorla është bërë simboli i një rikthimi që pak e besonin se do të ndodhte ndonjëherë.
Në verën e vitit 2003, Oviedo nuk zbriti vetëm një kategori, por dy – nga Segunda në Tercera – për shkak të sanksioneve financiare. Klubi ishte buzë falimentimit. Në 2012, ata u përballën sërish me kolapsin dhe u detyruan të shesin aksione për të mbijetuar.
Pas rikthimit në futbollin profesionist në vitin 2015, ndodhi ajo që pak e prisnin: në vitin 2023, Cazorla u rikthye në klub, duke pranuar pagën minimale të ligës së dytë, me kusht që 10% e shitjeve të fanellave të tij të shkonin për akademinë e klubit. Ai ishte gati të luante falas – dhe vetëm ligjërisht kjo nuk ishte e mundur.
Pas zhgënjimit të humbjes në “play-off” kundër Espanyolit verën e kaluar, këtë vit Oviedo ia doli. Në ndeshjen vendimtare kundër Mirandés, pas disavantazhit 0-2, Cazorla udhëhoqi një përmbysje emocionuese, që u kurorëzua në kohën shtesë me golat e Ilyas Chaira dhe Francisco Portillo.
Skena emocionuese shpërthyen në stadiumin Nuevo Carlos Tartiere, ku tifozët pushtuan fushën. Cazorla, në mënyrë spontane, nisi të këndonte me zë të lartë: “Ëe ëill be back”, duke e bërë natën të paharrueshme.
Cazorla e ka quajtur këtë finale “ndeshjen më të madhe të jetës së tij”, pavarësisht se ka fituar dy herë Kampionatin Evropian me Spanjën. Presidenti i Oviedos, Martín Pelaez, ka konfirmuar se janë në negociata për rinovimin e kontratës së tij.
Ndërkohë, edhe kryetari i qytetit të Oviedos, Alfredo Canteli, ka paralajmëruar një nderim të përjetshëm për legjendën e qytetit: sheshi dhe shatërvani i fitores në qytet, Plaza America, do të marrë emrin “Plaza Santi Cazorla” – një gjest simbolik për njeriun që u kthye për të ringjallur ëndrrën.
Real Oviedo është sërish në La Liga. Dhe në zemrën e këtij suksesi nuk është vetëm futbolli – është historia e një njeriu që nuk harroi kurrë prej nga kishte ardhur.