Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka bërë të ditur se një qytetar ka hequr dorë nga kamatat e një borxhi të vjetër ndaj komunës, në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh, duke e cilësuar këtë si një akt të jashtëzakonshëm qytetarie dhe një shenjë të rikthimit të besimit ndaj institucionit.
Më poshtë postimi i plotë i kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra:
150.000 euro të falura për Strugën, një hap më shumë drejt rikthimit të besimit
Ka ditë kur pesha e përgjegjësisë ndihet më shumë se zakonisht. Një situatë e rënduar financiare, një institucion që për një kohë të gjatë ka humbur besimin e qytetarëve, llogari të bllokuara, detyrime të papaguara, sfida për të rikthyer rendin dhe funksionalitetin e Komunës, por edhe qindra qytetarë që trokasin çdo ditë në derën tonë me hallet dhe nevojat e tyre. Megjithatë, bindja se për çdo problem ka një zgjidhje nuk venitet.
Nuk është e lehtë. Ka momente kur e kupton se rruga drejt ndryshimit është shumë më e vështirë sesa e kishe menduar.
Por pastaj ndodhin ngjarje që të japin forcë. Që të kujtojnë pse ia vlen të mos dorëzohesh.
Sot ishte një nga ato ditë.
Një qytetar i Strugës vendosi t’i falë Komunës kamatat e një borxhi të papaguar për mbi 13 vjet, në vlerë prej rreth 150.000 euro.
Kur dëgjova këtë vendim, nuk pashë vetëm një lehtësim financiar. Pashë një qytetar që vendosi ta vendosë interesin e Strugës mbi interesin personal. Pashë një njeri që beson se ky insitucion mund të ringrihet dhe se ia vlen t’i japësh një shans.
Ky gjest më preku thellë.
Sepse më rikujtoi se Struga nuk ndërtohet vetëm nga kryetari apo nga administrata. Struga ndërtohet nga njerëzit e saj. Nga ata që, edhe kur kanë të drejtë të kërkojnë, zgjedhin të japin. Nga ata që mendojnë për brezat që vijnë dhe jo vetëm për ditën e sotme.
Në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve, faleminderit për këtë shembull të jashtëzakonshëm qytetarie.
Jam gjithnjë e më i bindur se do ta nxjerrim Komunën nga kjo gjendje. Do ta zhbllokojmë financiarisht, do ta bëjmë funksionale dhe do t’i realizojmë projektet që kemi premtuar.
Sepse kur institucionet dhe qytetarët ecin në të njëjtin drejtim, nuk ka pengesë që nuk kapërcehet.
Besimi po rikthehet. Dhe ky është ndryshimi më i madh që mund t’i ndodhë Strugës.
tag_katrorimaqedoni_2