Qytetarët e Kosovës hynë borxh në banka mbi një miliard euro brenda pesë muajve - Gazeta Express
string(79) "qytetaret-e-kosoves-hyne-borxh-ne-banka-mbi-nje-miliard-euro-brenda-pese-muajve"

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 7:22

Qytetarët e Kosovës hynë borxh në banka mbi një miliard euro brenda pesë muajve

Lajme

Gazeta Express

11/08/2025 7:22

Qytetarët e Kosovës kanë hyrë në borxh 1.2 miliardë euro në bankat e Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-maj të vitit 2025. Kjo shumë ka shënuar rritje prej 200 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa totali i kredive aktive deri në fund të muajit maj të këtij viti ka arritur në 6.3 miliardë euro, në krahasim me 5.2 miliardë euro sa ishte në maj të vitit 2024.

Njohësit e ekonomisë konsiderojnë se kamata e kredisë është e lartë dhe se institucionet duhet bërë më shumë që të ketë ndryshime.

Krahas kësaj, është shënuar rritje edhe në depozitat bankare. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, depozitat e reja arritën mbi 480 milionë euro, mbi 133 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se në depozitimin e mjeteve dominon diaspora.

Ndërkaq, sipas qytetarëve marrja e kredive bëhet për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballen

“Kredia nuk është e vogël kurrë, veç zori”, shprehet Ejup Musolli.

Një qytetar tjetër tregon se para disa vitesh ka marrë kredi.

“Kam marrë (kredi) para 30 vitesh. A e ke pasur vështirë ta kthesh? Jo, se është ndal në rrogë”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se rritja e vlerës së kredive për ekonomitë familjare nuk është mesazh i mirë. Sipas tij, kjo tregon se familjet në Kosovë janë të detyruar t’i nënshtrohen marrjes së kredive të reja.

Rafuna për KosovaPress, potencon se norma e interesit në bankat e Kosovës vazhdon të jetë e lartë.

Ai thotë se ekzekutivi dhe Banka Qendrore Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim, për ta ulur normën e interesit.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja është 6.0 përqind.

E sa i përket rritjes së depozitave në banka, Rafunes thotë se vjen pasi diaspora dhe qytetarët e Kosovës nuk po investojnë më shumë në patundshmëri, siç kanë bërë më herët.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Nga BQK-ja thonë se portofoli i përgjithshëm i kredive ka arritur në 6.3 miliardë euro në fund të majit 2025, nga 5.2 miliardë euro në maj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 1.1 miliardë euro ose 20.9%.

Ndërkaq, sa i përket depozitave, në përgjigjen e tyre për KosovaPress, thonë se gjatë kësaj periudhe pesë mujore janë regjistruar 480.9 milionë euro depozita të reja, krahasuar me 347.6 milionë euro vitin e kaluar.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se rritja e kredive dhe depozitave tregon për një përshkallëzim të gjendjes ekonomike në vend.

Sipas tij, qytetarët dhe bizneset po i drejtohen kredive për të përballuar nevojat afatshkurtra, pasi nuk kanë mundësi të qarkullojnë apo të mbijetojnë ekonomikisht.

Ndërkaq, sa i përket depozitave, Kadrijaj vlerëson se pjesa më e madhe vjen nga mjetet e bashkatdhetarëve, të cilët i depozitojnë në banka.

Në një prononcim për KosovaPress, Kadrijaj vlerësoi se situata ekonomike në vend po rëndohet edhe për shkak të mungesës së funksionimit institucional.