Një arkeolog amator pretendon se ka zbuluar rrënojat e një qyteti të lashtë, që sipas tij ka ekzistuar rreth 12,000 vite më parë pranë brigjeve të Luiziana.
Arkitekti i pensionuar George Gelé thotë se ka identifikuar gjurmë të “qindra ndërtesave” të fshehura nën ujërat pranë Ishujve Chandeleur, rreth 80 kilometra në lindje të New Orleans.
Për gati pesë dekada, ai ka mbledhur imazhe sonar nënujore që, sipas tij, tregojnë struktura të mëdha, përfshirë edhe një “piramidë” rreth 85 metra të lartë që ngrihet nga fundi i detit. Gelé pretendon gjithashtu se kjo strukturë lëshon energji elektromagnetike, duke bërë që busullat e anijeve të çrregullohen kur kalojnë mbi zonë.

Ai e ka quajtur këtë vend “Crescentis” dhe pohon se formacionet ndodhen rreth 10 metra nën ujë dhe janë të mbuluara nga shtresa të trasha sedimenti. Sipas tij, ato kanë lidhje gjeografike me Piramidën e Madhe të Gizës.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë publikuar në revista shkencore të rishikuara nga ekspertët, çka i bën ato të diskutueshme. Gelé sugjeron se struktura mund të datojnë nga fundi i epokës së fundit të akullnajave, kur rritja e nivelit të detit përmbyti zona të mëdha bregdetare.
Teoria e tij mbështetet në zbulimin e grumbujve të granitit nën ujë – një material që nuk gjendet natyrshëm në Luiziana. Ai beson se këta gurë janë transportuar dhe vendosur qëllimisht nga njerëzit e lashtë.


Por shumë shkencëtarë ofrojnë shpjegime më të thjeshta. Studime të mëparshme, përfshirë ato nga Texas A&M University, sugjerojnë se graniti mund të vijë nga rrënoja anijesh ose nga gurë ballast të hedhur nga anijet për të lehtësuar ngarkesën.
Historianët mendojnë se anijet spanjolle ose franceze mund t’i kenë hedhur këta gurë teksa afrohej në ujëra të cekëta drejt New Orleans-it. Një tjetër teori është se formacionet mund të jenë krijuar në vitet 1940 si pjesë e ndërtimit të një reef-i artificial, duke hedhur materiale ndërtimi në det.
Edhe arkeologë profesionistë mbeten skeptikë. Sipas tyre, kërkimet nënujore nuk mjaftojnë për të dhënë përgjigje përfundimtare dhe nevojiten analiza historike dhe dokumentare për të kuptuar origjinën e këtyre formacioneve.
Pavarësisht debatit, ideja e një qyteti të humbur nën ujë vazhdon të ndezë imagjinatën – edhe pse, për momentin, provat shkencore mbeten të pamjaftueshme për ta mbështetur atë. /GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...