Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se dy deputetë të kësaj partie janë në ‘‘fokus të veçantë’’, të interesimit të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Express.
Quni ka thënë se format e presionit që po u bëhen deputetëve të LDK-së janë të ndryshme.
Pos kësaj, Quni ka thënë edhe se dy deputetët e LDK-së janë ‘’stabil’’ dhe ‘’do t’i përmbahen’’ qëndrimeve të LDK-së, pavarësisht presioneve të VV-së.
‘‘Kontaktohemi nga zyrtarët e VV-së, kontaktohemi nga ndërmjetësuesit e tyre. Është fakt se dy deputetët e LDK-së janë në fokus të veçantë të interesimit të autoriteteve të VV-së. Mbetet në diskrecionin e atyre që vetë të deklarohen. Ne i kemi njohuritë, informatat, përmbajtjen e bisedave të gjitha, deputetët të cilët më së shumit kontaktohen nga autoritetet e VV-së janë shumë stabil dhe do t’i përmbahen qëndrimeve të LDK-së. Format e presionit janë të ndryshme, duke ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare’’, ka thënë ai. /GazetaExpress