Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka deklaruar se në këtë subjekt nuk ka disponim për të hyrë në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Quni është shprehur do të duhet shumë punë për rikthimin e besimit ndërpartiak.
“Në të gjitha ato bisedat dhe në të gjitha ato nivelet filluar nga dega nga e cila vij unë dega e Prizrenit forumet e ndryshme që kam qasje e deri tek niveli më i lartë në kryesi edhe si nënkryetar nuk kam vërejtur ndonjë disponim që ne të hyjmë në qeverisje së bashku me Vetëvendosjen. Do të duhej të punohej shumë që të krijohen rrethanat, të krijohen kushtet që me u kriju një afërsi edhe me u rikthy besimi ndërpartiak”, ka thënë Quni.
Sipas tij, nga një parti antikombëtare dhe antishtetërore siç u quajt nga Kurti gjatë mandatit, të rikthehet në të preferuarën e tij brenda një kohe të shkurtër për shkak të mungesës së numrave, LDK-së i lë vend për dyshime.
“Ne e kemi edhe një përvojë që e kemi pasur një qeverisje të përbashkët ku kemi shpresuar që së bashku mund të bëjmë revolucion për të mirë për shtetin tonë për qytetarët tanë. I kemi përdorur mundësitë e fundit që ta ruajmë atë koalicion por ja që kalkulimet ishin që me prishjen e koalicionit LDK-ja do të dëmtohet në përmasa të tilla që të defaktorizohet. Kur ne e kemi një përjetim të tillë e pastaj e kemi një mandat ku ne kategorizohemi si parti antikombëtare antishtetërore edhe tash brenda 24-orëve për shkak të mungesës së numrave ne jemi të preferuarit e Albin Kurtit natyrisht që janë shumë pikëpyetje. A mos është ende projekti që me vazhdu me dobësimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës apo është me të vërtetë një nevojë e sinqertë”, është shprehur ai.