Shtetet e QUINT dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një deklaratë të përbashkët, QUINT kërkoi nga qeveria në largim e Albin Kurtit dhe partitë tjerë që të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që pengojnë regjistrimin e partive.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë para zgjedhjeve lokale më 12 tetor. Çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës”, thuhet në reagim.
QUINT ka inkurajuar palët e prekura që t’i drejtohen PZAP-së dhe të kërkojnë dëmshpërblim.
“Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të kryhen strikt në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim”.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe dje i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime, përkundër paralajmërimeve nga e Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë kundërshtuar certifikimin e kësaj partie dhe votuan kundër, ndërsa anëtarët e partive të tjera politike në KQZ abstenuan nga votimi. /Express/