Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se kryeministri Kurti i ka marrë të gjitha autorizimet e partisë, përfshirë ato të grupit parlamentar të LVV-së, kryesisë së partisë dhe Këshillit të Përgjithshëm, për të nisur bisedimet me liderët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.
“Ne jemi të interesuar që Kosovës t’i japim një president të ri. Kryeministri Kurti i ka marrë të gjitha autorizimet nga grupi parlamentar i LVV-së, nga Kryesia dhe nga Këshilli i Përgjithshëm, dhe besoj se opinioni do të njoftohet shumë shpejt se ai do t’i realizojë takimet me partitë opozitare, në mënyrë që të gjendet një kompromis. Kemi kohë deri më datën 28 prill, që është dita e fundit kur Kuvendi mund ta zgjedhë presidentin sipas aktgjykimit. Besoj se brenda një afati shumë të shpejtë do të fillojnë konsultimet zyrtare mes zotit Kurti dhe liderëve të opozitës.”, tha Qorrolli.
Deputeti Qorrolli tha se nuk kanë vendosur ende nëse do të ketë kandidatë të tjerë të LVV-së për president. Sipas tij, kjo mbetet në vullnetin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut nëse dëshirojnë të heqin dorë nga kandidatura, në mënyrë që më pas nënshkrimet t’u kalojnë kandidatëve të tjerë.
“Ne nuk kemi kandidatura të tjera të nominuara. Ne kemi bërë thirrje që opozita të nominojë kandidaturat e veta. Nëse do të kemi tërheqje, hipotetikisht po themi, të zotit Konjufca dhe të zonjës Kollçaku, atëherë duhen dy kandidatë të tjerë që ta plotësojnë kushtin për të hyrë në garë dhe nënshkrimet tona mund të jenë për ta. Por kjo i takon një marrëveshjeje politike, një konsensusi që ne pastaj do ta vendosim.”, tha tha Qorrolli. /rtv21