Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e shtetit janë evidentuar gjithsej 38 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, tre janë ende aktive, pesë janë vënë nën kontroll, ndërsa tridhjetë janë shuar plotësisht.
Zjarre aktive janë regjistruar në Komunën e Dojranit (fshati Nikolliq), në Veles (fshati Xhidimirci) dhe në rajonin e Komunës së Makedonski Brodit, ku zjarri ka përfshirë hapësirën midis fshatrave Creshnevo, Krapa dhe Lokvicë.
Nën kontroll janë zjarret pranë fshatit Sllatinë në Makedonski Brod, në fshatin Bllace në Çuçer Sandevë, dy deponi në Komunën e Dollnenit dhe në rajonin e burimeve të Sllatinës.
Ndër zjarret e shuar janë ata në Shkup, Manastir, Prilep, Resnjë, Demir Hisar, Strumicë, Radovish, Kumanovë, Kriva Pallankë dhe komuna të tjera, të cilat kryesisht kanë përfshirë vegjetacion të ulët, pyje, deponi apo mbeturina.
Organet kompetente vazhdojnë me intervenime në terren dhe apelojnë për kujdes dhe raportim të menjëhershëm të çdo zjarri të vërejtur.
Maqedonia e aktivizoi mekanizmin e BE-së për ndihmë në përballimin e zjarreve
Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.
Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për shtyp me 9 korrik njoftoi se për shkak të seriozitetit të situatës me zjarret në pyje në të gjithë vendin, kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja.
“Është aktivizuar edhe mekanizmi për ndihmë evropiane në përballimin e zjarreve dhe të gjitha kapacitetet e shtetit po vihen në funksion në masën maksimale të mundshme”, tha Toshkovski.
Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.
Kurse për të zbutur këtë situatë, me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS). Në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.
tag_katrorimaqedoni_2