QKRMT kërkesë zyrtare mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë për arrestimin e ish-policit Spahiu: Të vizitohet, të dimë për gjendjen e tij - Gazeta Express
string(135) "qkrmt-kerkese-zyrtare-mekanizmave-vendore-dhe-nderkombetare-per-arrestimin-e-ish-policit-spahiu-te-vizitohet-te-dime-per-gjendjen-e-tij"

Lajme

Gazeta Express

13/06/2025 14:15

QKRMT kërkesë zyrtare mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë për arrestimin e ish-policit Spahiu: Të vizitohet, të dimë për gjendjen e tij

Lajme

Gazeta Express

13/06/2025 14:15

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) u bën thirrje mekanizmave të pavarur monitorues, vendorë dhe ndërkombëtarë, që të vizitojnë ish-policin Arbnor Spahiu, i arrestuar ditë më parë nga autoritetet serbe, dhe të vlerësojnë gjendjen e tij shëndetësore.

QKRMT rikujton se ish-zyrtari policor Arbnor Spahiu u arrestua nga autoritetet e Serbisë më 07.06.2025, në pikën kufitare Horgosh, teksa po udhëtonte nga Gjermania, nën akuzën për përfshirje në rastin “Banjskë”—pavarësisht që ai ishte dorëhequr nga Policia e Kosovës kohë më parë dhe jetonte në Gjermani.

“Duke pasur parasysh raportet e ndjeshme politike mes Kosovës dhe Serbisë, QKRMT shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e informacionit rreth trajtimit dhe gjendjes aktuale të ish-zyrtarit policor. Me qëllim parandalimin e torturës, keqtrajtimeve apo shkeljes së të drejtave të tij, QKRMT u ka dërguar kërkesë zyrtare mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të monitoruar nga afër gjendjen e tij”, thuhet në njoftim.

QKRMT i ka dërguar kërkesë Komitetit të Helsinkit në Serbi që të interesohet për rastin, duke pasur parasysh bashkëpunimin e vazhdueshëm që QKRMT ka pasur me këtë organizatë edhe më parë.

Po ashtu, QKRMT i është drejtuar me kërkesë zyrtare edhe Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve Mizore, Ç’njerëzore apo Poshtëruese (SPT), mekanizëm ndërkombëtar që monitoron vendet e privimit nga liria. Për fat të mirë, SPT pritet të qëndrojë në Serbi nga 15–21 Qershor 2025, gjë që rrit mundësitë që delegacioni i tyre të vizitojë edhe ish-zyrtarin e arrestuar.

QKRMT shpreson që këta mekanizma do të realizojnë vizitën, do të vlerësojnë gjendjen e tij dhe do të njoftojnë zyrtarisht QKRMT-në për situatën e Arbnor Spahiut.