QKK-ja ka mbi një milion euro detyrime ndaj filmbërësve - Gazeta Express

QKK-ja ka mbi një milion euro detyrime ndaj filmbërësve

Arte

Gazeta Express

13/04/2020 21:58

“Kemi vendosur që QKK-se t’ia rrisim për 100 për qind buxhetin dhe t’i inkurajojmë të gjithë filmbërësit kosovarë të vazhdojnë punën”.

Kjo deklaratë e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, në gusht të vitit 2018, për dyfishim të buxhetit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, kishte nisur t’ia jepte tatëpjetën financiare këtij institucioni.

E kur ky premtim është përsëritur më 2019, veç e ka thelluar krizën, raporton KOHA.

Pas premtimeve, QKK-ja kishte rritur numrin e projekteve të mbështetura. Nga 17 ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro, duke llogaritur se kishin buxhet prej 1.4 milionë eurosh. E realisht, QKK-ja kishte vetëm 766 mijë euro në llogari.

Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro. Realisht ky institucion kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projektet filmike.

Kryetari i Shoqatës së Producentëve të Kosovës, Yll Uka, ka thënë se ka shumë projekte që kanë përfunduar e obligimet e QKK-së nuk janë kryer. E kjo shkakton telashe të mëdha për filmbërësit.

Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, nuk ka dashur të flasë për situatën të cilën e ka krijuar.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, nuk ka folur direkt për problemin e QKK-së me borxhe.

Përderisa borxhi i akumuluar për 2 vjet ka arritur mbi 1 milion, buxheti i rregullt i Qendrës për këtë vit është vetëm 810 mijë euro.