Qeveritë mëparshme e gënjyen veten - Gazeta Express
string(34) "qeverite-meparshme-e-genjyen-veten"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

18/06/2021 14:39

Qeveritë mëparshme e gënjyen veten

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

18/06/2021 14:39

Në vend që të kemi konsensuse për negociatat, ne jemi të përçarë. Në vend që opozita të tregohet më e ashpër në kërkesa ndaj Serbisë, ajo tregohet më e butë. Në vend që opozita të tregohet më e ashpër ndaj Serbisë, ajo tregohet kërcënuese ndaj Qeverisë së vet për të kapur pushtet

Jashar Etemaj

Gënjeshtra më e rrezikshme është vetëmashtrimi, kur e gënjejmë vetën. “Çka ta ban vetja nuk ta ban as anmiku” – thotë populli ynë.

Prej se kanë filluar negociatat me Serbinë, pala Kosovare ka qenë në defensivë në te gjitha takimet negociuese me Serbinë. Qeveritë e Kosovës prej se kanë filluar negociatat të linin përshtypje se ne ishim agresori e jo Serbët. Frika personale (humbja e posteve, privilegjeve të pa merituara) dhe frika se po i irritojmë ndërkombëtarët e po humbim më shumë gjatë negociatave, ndikuan që ne mos t’a themi të vërtetën mbi agresorin, mbi vrasjet, mbi masakrat të shkaktuara nga makineria luftarake e Millosheviqit!

Frika e pa arsyetuar, i mpiu qeveritë e kaluara sa që nuk kërkuam as dëme të luftës. Kjo mpirje e shqiptarëve e barazoj “luftën” e ujkut dhe qengjit.

Në Bruksel, qeveritë e kaluara të Kosovës, shkonin si ata kushërinjtë e largët e të pasur që kurrë nuk janë përla e vra për çështje kontestuese të tokës, të cilët me marrëveshje reciproke kanë vendosur që kontekstin pronësor t’ja u ndajë drejtësia.

Qeveritë serbe të pas luftës nuk ndryshuan nga ato të para luftës. Gjatë luftës, serbët, Kosovën e donin pa shqiptarë! Masakrat, vrasjet dhe deportimet e mbi 8 qind mijë shqiptarëve nga Kosova pa dyshim mund të klasifikohen si gjenocid. Mirëpo intervenimi humanitar i NATO-s ndikoj që gjenocidi ndaj shqiptarëve të ndërpritet. Prandaj, vrasjet, masakrat, dhunimet  e përndjekjet  groteske ndaj shqiptarëve nga makineria ushtarake e Millosheviqit, sot bashkësia ndërkombëtare i trajton si tentim për  gjenocid.

Sipas të dhënave të fundit Për të Drejtat Humanitare në Kosovë u vranë 13,518  persona. Nga të vrarit 8,662 ishin civilë. Sipas ekspertëve ekonomik dëmet e shkaktuara nga lufta llogaritën deri në 22 miliardë euro. Përveç vrasjeve, dhunimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë, serbët kanë shkaktuar dëme në sektorin publik, dhe atë privat. Kanë grabitur fondin pensional, dhe janë vjedhur artefaktet nga Muzeu i Kosovës.

Tani dhe pas luftës Qeveritë Serbe kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës, qoftë si shkëputje, qoftë me anë të asociacionit, qoftë duke kërkuar ekstra territorialitet  për kishat kinse të tyre, që gjinden në Kosovë. Çka do të thotë kjo!? Serbët po kërkojnë shtet në shtet. Veriu i Mitrovicës gjendët në Kosovë!? Po na pyeti dikush si e shfrytëzoni atë territor! Përgjigjja normale është: Ai territor është tokë e Kosovës, po ne nuk kemi të drejtë për shfrytëzim, atë tokë e shfrytëzojnë Serbët. E njëjta vlen edhe për ekstra territorialitetet  e kishave. Pra, si mund të jetë diçka e jona kur nuk kemi drejtë në shfrytëzim!

Nëse pala e Kosovës i kërkon (që nuk ka tentuar ti kërkoj) të njëjtat kushte, asociacion për shqiptarët e Presheves e Bujanocit, kërkesa shikohet me sy Argusi edhe nga ndërkombëtarët.

Serbia u ndëshkua për agresionin ndaj Kosovës nga bashkësia ndërkombëtarë. U ndëshkua veprimi ushtarak serb, me anë të NATO-s, po jo edhe krejt frymëzuesit, nxitësit e sidomos përkrahësit e luftës! Kryeministri Serb, Aleksander Vuçiq dekoron, e emëron rrugë me emra të gjeneralëve që u dënuan për krime në Hagë, si Ratko Mladiq. Vuçiq, dekoroi edhe gjeneralin Ljubisha Dikoviq me medalje “Urdhri i Yllit Karagjorgje” i cili është përgjegjës për vrasje, masakra e dhunime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Kjo për shqiptarët e boshnjakët është njësoj sikur për anglezet një Kancelar gjerman t’a dekoronte gjeneralin nazist të flotës ajrore Hermann Gôring. Të indinjuar e të poshtëruar do të ndiheshin edhe hebrenjtë sikur një Kancelar gjerman do e dekoronte p.sh përgjegjësin e Holocaustit gjeneralin Heinrich Himmlerin. Të indinjuar e të poshtëruar do të ndiheshin edhe norvegjezët sikur p.sh një Kancelar gjerman t’a dekoronte për “merita” gjeneralin nazist Josef Torboven. Të gjithë këta popuj edhe më të indinjuar do të ndiheshin sikur po e zëmë SHBA ti detyronte të bënte negociata me Kancelarin gjerman nëse i kish dekoruar ata gjeneral famëkeq nazist!

Për dallim të qeverive të mëparshme, Kryeministri Kurti në mënyrë të dinjitetshme  po e mbron  Kosovën në negociatat Kosovë -Serbi. Edhe pse katër propozimet e Kurtit, nga opozita dhe disa ish të burgosur të ndërgjegjes të cilët mendojnë se e mbajnë bajrakun e patriotizmit, po komentohen në mënyrë spirtuoze, sidomos ideja e Kurtit për një marrëveshje paqeje me Serbin, kinse Kurti paska frik se Kosova do e sulmon Serbin! Komentojnë disa!!!

Nëse e kthejmë mbrapsht anën e humorit të gjithë e dimë se Serbia ushtarakisht është shumë më e fortë se Kosova. Prandaj një marrëveshje paqeje do i ndihmonte shumë Kosovës. Sidoqoftë, një  marrëveshje për paqe mes Kosovës e Serbisë duhet kuptohet si vullnet i mirë për paqe. Po, edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje paqe mes Kosovës e Serbisë, palët janë të obliguara ti përmbahen marrëveshjes. Çka të keqe këtu!

Qëllimi i gjithë luftës është paqja theksonte Agustini. Pas luftës dhe pas bombardimit të NATO-s Serbia udhëhiqet nga të njëjtit shovinist që dikur e përkrahnin Millosheviqin e Sheshelin, si Vojslav Koshtunica e Aleksander Vuçiq. Albin Kurti në Bruksel theksoj se në Ballkan ende politikëbërësit janë kriminel të luftës. Kur e kam parasysh biografin e Aleksander Vuçiqit dhe apetitet e Serbisë ndaj Kosovës, fjala e urtë e Agustinit do të shndërrohej: Qëllimi i gjithë luftës është lufta!

Në krye të negociatave të shtetit Serb gjenden njerëzit të cilët kanë urrejtje, urrejtje ndaj shqiptarëve. Përderisa urrejtja e mbisundon mendjen e njeriut unë nuk mund ta kuptoj se si do vijmë  deri te paqja!

Sinqerisht, unë nuk e kuptoj as Bashkësinë Evropiane e ndërkombëtare!? Faktikisht, unë nuk e kuptoj entropinë  e tyre, si do ta zgjidhin çështjen e Kosovës e cila ishte viktimë e agresorit Serb.

Qeveria Kurti përveç ballafaqimit me Serbin ajo ndodhet edhe me një ballafaqim banal edhe me opozitën e cila jep kumtë dobësie dhe gatishmërie (si Lutfi Haziri i LDK-së) duke ia tërhequr vërejtjen Qeverisë Kurti se duhet kushtimisht të dëgjohen ndërkombëtarët për negociatat Kosovë-Serbi që filluan në Bruksel me 15 Qershor, se përndryshe do bie Qeveria!

Në vend që të kemi konsensuse për negociatat, ne jemi të përçarë. Në vend që opozita të tregohet më e ashpër në kërkesa ndaj Serbisë, ajo tregohet më e butë. Në vend që opozita të tregohet më e ashpër ndaj Serbisë ajo tregohet kërcënuese ndaj Qeverisë se vet për të kap pushtet. Faktikisht, disa shqiptarë negociatat po i përcjellin me aq sportivitet sa që kanë filluar të “navijatin” (simpatizojnë) për Vuçiqin, Serbinë! As në ketë sport nuk janë fer.