Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim propozim-vendimin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, përkatësisht në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë nismë, duke theksuar se vendimi përfundimtar mbetet në dorën e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë këtë hap në përputhje me objektivat strategjike për bashkëpunim me vendet aleate, si dhe pas një ftese të pranuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara më 10 dhjetor 2025.
Maqedonci sqaroi se kjo ftesë lidhet me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me angazhimet politike të shprehura në mekanizmat ndërkombëtarë për paqe.
Ai theksoi se procedurat janë iniciuar në përputhje me ligjet në fuqi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, me synim që Kuvendi të marrë vendimin përfundimtar për këtë angazhim.
Sipas ministrit, pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision parashihet të zhvillohet në kuadër të një komande të përbashkët ndërkombëtare, e cila synon të mbështesë zbatimin e një plani gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në Gaza, gjithmonë në përputhje me mandatin e forcës stabilizuese ndërkombëtare.