Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka vendosur të shpërblejë me 1 deri në 3 paga mujore të gjithë punonjësit që u angazhuan në operacionet e shuarjes së zjarreve gjatë verës 2025. Vendimi përfshin efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse.
Shuma e shpërblimit do të varet nga kohëzgjatja e angazhimit në terren:Për angazhimin nga 1 deri në 7 ditë, punonjësit do të marrin 1 pagë mujore. Nga 8 deri në 15 ditë, shpërblimi do të jetë 2 paga mujore. Mbi 16 ditë angazhim do të shpërblehet me 3 paga mujore. Shpërblimet do të llogariten mbi bazën e pagës bruto dhe fondet do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Për realizimin e kësaj skeme financimi, qeveria ka akorduar 2 milionë euro shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe rreth 700 mijë euro për Ministrinë e Brendshme. Ky vendim vjen pas një vere të vështirë për vendin, ku mbi 50 mijë hektarë tokë u dogjën nga flakët. Më 27 gusht, Kryeministri Edi Rama nderoi 24 zjarrfikës, ushtarë dhe policë për kontributin e tyre në përballimin e situatës.