Qeveria në ikje, milionat në ikje – Opozita flet për shkatërrim të shtetit - Gazeta Express
string(71) "qeveria-ne-ikje-milionat-ne-ikje-opozita-flet-per-shkaterrim-te-shtetit"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 8:15

Qeveria në ikje, milionat në ikje – Opozita flet për shkatërrim të shtetit

Lajme

Gazeta Express

24/06/2025 8:15

Nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në muajin shtator, vendi rrezikon të humbasë një shumë prej 90 milionë eurosh të alokuara nga Banka Botërore.

Kështu ka paralajmëruar të hënën ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke fajësuar opozitën për bllokimin Institucional.

Sipas Muratit, vonesat e mëtejshme rrezikojnë që këto fonde me kamatë zero për qind t’i kalojnë një shteti tjetër. “Banka Botërore, e as bota, nuk mund të na presin pafundësisht. Jetike është që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votohet kjo marrëveshje jetike për Kosovën”, theksoi ai.

Por, opozita ka reaguar ashpër, duke e cilësuar deklaratën e Muratit si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë nga qeveria në largim. Sipas tyre, është pikërisht Vetëvendosje që po e pengon formimin e institucioneve dhe po e vë në rrezik stabilitetin financiar të vendit.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një zgjidhje në kohë për të shpëtuar fondet dhe për të garantuar funksionalitetin institucional të shtetit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për humbje të mëdha financiare dhe dështim në menaxhimin e resurseve të vendit.

Sipas Shalës, pavarësisht pretendimeve për bllokim nga opozita, është vetë qeveria në ikje që ka dështuar në menaxhimin e fondeve dhe në sigurimin e investimeve ndërkombëtare.

“Kosova po vazhdon të humbasë me importe marramendëse të energjisë dhe mallrave nga Serbia dhe vendet e tjera. Kemi një buxhet vjetor prej 3.5 miliardë eurosh që po shpërdorohet pa asnjë transparencë. Të gjitha këto janë humbje të drejtpërdrejta të Kurtit dhe Muratit,” deklaroi Shala për Front Online.

Deputeti i PDK-së theksoi se Kosova ka humbur mbi 350 milionë euro në formë donacionesh nga Bashkimi Evropian për shkak të paaftësisë qeverisëse të Vetëvendosjes, si dhe 50 milionë euro të tjera nga Shtetet e Bashkuara për projektin e gazit përmes MCC-së. Ai përmendi gjithashtu importin e mbi 1 miliardë eurove energji, që sipas tij, është dëshmi e dështimit të politikave energjetike të qeverisë aktuale.

“Këto nuk janë vetëm shifra – janë mundësi të humbura për qytetarët dhe shtetin. Në vend të zhvillimit, kemi pasivitet, keqmenaxhim dhe rënie të besimit ndërkombëtar,” përfundoi Shala.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili fajësoi opozitën për bllokimin e Kuvendit dhe rrezikimin e 90 milionë eurove nga Banka Botërore.

Bajrami tha se është pikërisht Vetëvendosje ajo që ka ngujuar vendin politikisht, duke insistuar në emërimin e Arbërie Nagavcit për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave.

“Me 48 deputetë e keni ngujuar veten dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për të cilën nuk i keni votat. Mos provo të hedhësh fajin te të tjerët për një krizë që vetë e keni krijuar dhe po e zgjatni. Kot e ke”, theksoi Bajrami

Ajo kritikoi Muratin edhe për paaftësinë në sigurimin e votave për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë me Bankën Botërore, duke e akuzuar për heshtje përballë humbjeve shumë më të mëdha që, sipas saj, janë shkaktuar nga qeverisja aktuale.

“Para se të flasësh për koston oportune të një kredie që s’ke mundur ta kalosh në Kuvend, pse nuk flet për qindra milionë euro grante nga BE që Kosova nuk mund t’i shfrytëzojë prej dy vitesh? Kjo si pasojë e masave ndëshkuese të BE-së ndaj një qeverie arrogante dhe destruktive”, shtoi deputetja e LDK-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili fajësoi opozitën për bllokadën politike që rrezikon humbjen e 90 milionë eurove nga Banka Botërore.

Kadrijaj tha se përgjegjësia për ngërçin institucional bie mbi Vetëvendosjen, e cila sipas saj, ka vendosur interesin e emrit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit mbi interesat e vendit.

“Krejt këto dështime i adresohen Vetëvendosjes, të cilët emrin e Albulena Haxhiut e kanë vendosur para Kosovës. Ne si AAK kemi qenë ndër të paktët që kemi shprehur gatishmëri për të votuar edhe kandidatë të tjerë nga VV, vetëm që të tejkalohet bllokada. Por ata janë ngujuar në një emër,” theksoi Kadrijaj për Front Online.

Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e mban peng vendin për interesa politike të ngushta, duke sjellë pasoja të mëdha financiare për shtetin.

“Nëse po rrezikojmë 90 milionë nga Banka Botërore, duhet kujtuar se kemi humbur edhe fonde nga Bashkimi Evropian. Këto dështime kanë një emër të qartë – Lëvizja Vetëvendosje,” shtoi ajo. /Frontonline