Qeveria në detyrë e Kosovës ka hedhur poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se veprimet e saj kanë qenë “të ligjshme, kushtetuese dhe në funksion të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.
Përkundër këtij qëndrimi, ish- ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik, ka theksuar se pezullimi i Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së është pasojë direkte e zhgënjimit të Uashingtonit me sjelljen e Qeverisë Kurti dhe mosgatishmërinë për t’i dëgjuar kritikat.
“[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë”, u shpreh Hovenier.
“Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies.”
Ambasadori bëri të qartë se pezullimi i këtij formati nuk nënkupton ndërprerje të bashkëpunimit në tërësi, por është një sinjal i qartë se një mundësi për ta çuar përpara partneritetin me SHBA-në është humbur përkohësisht – për shkak të vendimeve politike në Prishtinë që nuk janë përputhur me pritjet e aleatit kryesor të Kosovës.
“Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë,” shtoi ai.