Qeveria e Kosovës kishte ndarë gjysmë milioni euro për palestinezët në Gaza për shkak të krizës humanitare atje.
Duke rikujtuar ndarjen e këtyre mjeteve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot gjatë mbledhjes së qeverisë në detyrë tha se i dënon sulmet që shkaktojnë vdekjen e civilëve atje.
“Më lejoni që të shprehim shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milioni euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza”.
Kurti tha se mbështesin çdo përpjekje të partnerëve për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte “dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve”./Express/