Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta shfuqizojë vendimin për themelimin e Task-forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Me votat e anëtarëve të Qeverisë është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010”, i cili vendim kishte themeluar Task-forcën anti-korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, paraprakisht ka shprehur nevojën që të shikohen të gjeturat e rishikimit funksional për këtë Task-forcë. Ai ka konsideruar se shfuqizimi i menjëhershëm ka potencial t’i dëmtojë disa prej rasteve që janë në hetim e sipër.
“Kisha shprehur si nevojë që pikë së pari të shikojmë të gjeturat e rishikimit funksional, pasi shfuqizimi i menjëhershëm ka mundësi t’i dëmtojë disa raste që janë në proces”, tha ai.
Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka qartësuar propozim-vendimin. Sipas tij, vendimi i hapë rrugë institucioneve që të punojnë në përputhje me ligjet përkatëse.
“Ky është vendim i vitit 2010 që parashikon obligime që ka krijuar, që në fakt është ndarja e pushteteve. Kur është marrë vendimi për mandatin e EULEX-it, ka ndërruar plotësisht. Besoj që ky vendim i hap rrugë që institucionet të funksionojnë në bazë të ligjeve”, tha Hoti.
Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.
Ndër pikat e rendit të ditës të cilat u miratuan në mbledhjen e sotme të ekzekutivit është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për miratimin e planit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator. /GazetaExpress/
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...