Qeveria e Kosovës obligon MPJD-në të nisë procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës - Gazeta Express
string(60) "qeveria-miraton-nismen-per-anetaresim-ne-keshillin-e-evropes"

Qeveria e Kosovës obligon MPJD-në të nisë procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Lajme

Gazeta Express

12/05/2022 10:36

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot nismën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton Express.

Sipas ZKM’së, ky vendim e obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Lexo Edhe:

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe””, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare./Gazeta Express

Njoftimi i plotë i ZKM’së:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.