Qeveria ka median që meriton, kryeministër - Gazeta Express
string(41) "qeveria-ka-median-qe-meriton-kryeminister"

OP/ED

Gazeta Express

03/08/2022 17:25

Qeveria ka median që meriton, kryeministër

OP/ED

Gazeta Express

03/08/2022 17:25

Dhjetë vjet më parë, ish-kryeminstri Sali Berisha deklaroi se problemi i vendit nuk është krimi por raportimi i krimit në media. Ai përdori sharjen “media nekrofile”. Të njëjtën gjë duket se mendon edhe kryeministri aktual: Sipas tij, kemi të bëjmë me “kafshëri politiko-mediatike”. Problemi është se për llojin e medias, personat që mund të ankohen më së paku janë kryeministrat

Shkruan: Gjergj Erebara

Lexo Edhe:

Ish-kryeministri Sali Berisha e kishte zët të lexonte gazetat (në atë kohë Shqipëria kishte gazeta), në vitin 2012 pasi me mbi 100 të vrarë në vit, ishte e vështirë që të kalonte ndonjë ditë pa pasur qoftë edhe një lajm të tillë. Dhe në një rast, i bezdisur nga raportet e panumërta mbi vrasjet dhe shkaqet e vrasjeve, Berisha shpalli se problemi i vendit është “media nekrofile”, pra media veçanërisht e interesuar për të raportuar për vrasje.

I takoi kryeministrit aktual Edi Rama që të ankohej për median në rastin e një vrasjeje tjetër. Vrasjes aksidentale të një fëmije shtatë vjeç nga një oficer policie jashtë detyrës, i cili ishte duke përdorur një skaf me dy motorë mu në vendin ku njerëzit bëjnë plazh, në zonën e quajtur Plazhi i Potamit në Himarë.

“Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë!” deklaroi Rama të martën.

Të mërkurën, ndërsa shkarkimet nga puna në polici duket se nuk e qetësuan qytetarin e zemëruar nga tragjedia, Rama e ashpërsoi gjuhën duke folur për “vampirë politikë e mediatikë” dhe duke bërë gati sulmin për protestuesit si njerëz të Berishës.

Ky nuk është thjeshtë një injorim realiteti nga ana e Berishës apo e Ramës. Në fund të fundit, në të gjithë historinë e gazetarisë ka raste të panumërta kur media ka përdorur raportimet nga vrasjet për të krijuar lajme mister apo lajme makabre, thriller-a që vijojnë për javë të tëra dhe që e mbajnë lexuesin të fiksuar. George Orwell madje njëherë bëri një ese mbi vrasjet mediatike.

Për më tepër, prania me tepri e lajmeve apo emisioneve soft-porno si dhe raportimeve të stërholluara dhe pa kurrfarë etike mbi vrasje apo përdhunime, është njëkohësisht një tregues i paaftësisë së medias për të raportuar për çështje të interesit publik, fjala vjen, korrupsionin apo abuzimin me pushtetin. Nëse presidenti i vendit nuk mban asnjë konferencë për shtyp as dy muaj pasi është zgjedhur dhe ku qeveria aktuale ka zgjedhur taktikën e mospjesëmarrjes nëpër emisione debati për asnjë lloj çështjeje, është e kuptueshme që media do të grijë sallatë duke u marrë me vogëlsira.

Kjo gjithsesi nuk ishte rasti në fjalë.

Kjo nuk është as hera e parë që Rama ankohet për median. Pak ditë më parë, ai akuzoi median më proqeveritare në vend si përhapëse paniku ndërsa pak më herët i doli në mbrojtje një drejtori politik të vetin, i cili ankohet se “media po i vë gjobë”.

Se si ndodhi që një rrogtar shteti qenka në pozicionin që “media t’i vë gjobë”, kjo flet shumë, jo vetëm për median, por edhe për drejtorin, në një vend ku çdo vend pune në administratën publike është politizuar nga qeveria e Ramës dhe ku drejtorët ndryshojnë nga një sektor në një tjetër, a thua se janë specialistë për gjithçka. Nuk mungojnë rastet kur ata dalin pronarë të mëdhenj pronash dhe kompanish, gjë që të ngre pikëpyetje se pse duhet të ropaten gjithë ditën për një rrogë të vockël shteti. Në një prej këtyre rasteve, drejtori rezulton pronar i një kompanie me xhiro prej gati 2 milionë dollarësh brenda dy vitesh ndërsa vetë kompania ka shpenzime vjetore për paga prej vetëm 700,000 lekë, pra ka një ose maksimumi dy të punësuar. Me pak fjalë, nuk qenka vetëm qeveria e përbërë nga anëtarë milionerë, edhe shumë drejtorë shteti qenkan të pasur por që punojnë për rrogat e vogla të shtetit për pasion, për të kontribuuar për komunitetin.

Ngjarja tragjike e Potamit në fakt dukshëm nuk ka të bëjë aq shumë me kafshërinë politiko-mediatike se sa ka të bëjë me dështimin tërësor të Policisë së Shtetit për të bërë punën e vet minimale, pra kontrollin e territorit. Shqipëria është një vend që ka më shumë policë për banorë se sa shumë vende të tjera evropiane, e nëse marrim parasysh edhe morinë e policëve bashkiakë që mbajnë bllokun e gjobave në brez dhe patrullojnë çdo rrugë lagjeje, ta ha mendja se vendi nuk ka mungesë burimesh dhe taksapaguesit nuk po kursehen për të paguar policët që duhet të kontrollojnë territorin për gjëra të tilla elementare si ndalimi i skafeve nga qarkullimi në plazhe.

E për më shumë, ngjarja në plazhin e Potamit ishte e paralajmëruar. Vetëm pak javë më parë, një gomone tjetër doli nga deti për të goditur qytetarët në shezhlong. A e ka fajin kafshëria mediatike për faktin që mjetet lundruese qarkullojnë në plazh në një kohë që nuk duhet?

“Popujt marrin qeverinë që meritojnë”, është thënë dikur, një shprehje që nuk pranohet nga shumë të tjerë, të cilët vërejnë se qeveritë e këqija e marrin pushtetin me dhunë kështu që, nuk është faji i popullit. Por pavarësisht nëse kjo shprehje ka apo jo vërtetësi, një e ngjashme mund të dalë nga kjo. “Populli ka median që meriton” ndërsa akoma më pranë të vërtetës duhet të jetë kjo tjetra: “Qeveria ka median që meriton”.

Qeveria ka një rol të stërmadh në media dhe në tregun e ideve. Gadishmëria e saj për t’u angazhuar në çështje të interesit publik p.sh,. ofron një gamë përmbajtjeje për median, përmbajtje që jo doemos do të ketë lidhje me vrasjet, por gjithashtu, akoma më e fortë është lidhja mes gadishmërisë së qeverisë për të korruptuar median dhe cilësisë së kësaj të fundit.

Është e gjithëditur tashmë në Shqipëri se një pjesë jo e vogël e financimeve të medias vijnë si rrjedhojë e korrupsionit politik ndërsa një pjesë goxha e madhe e reklamave paguhen jo aq shumë për të tërhequr klientë se sa për t’i mbyllur medias gojën në mënyrë që të mos raportojë për monopole, oligolope, abuzime me klientë të painformuar mbi produktet financiare, dhunime të të dhënave personale, etj., etj. Pa harruar këtu mediat e koncesioneve, ose koncesionarë të Ramës që blejnë media apo financojnë media në mënyrë indirekte pavarësisht se është e qartë që së largu se këto media janë me humbje dhe nuk ka kurrfarë shprese të nxjerrin fitime nëse operojnë jashtë tregut të medias politike.

Kjo e gjitha ka prodhuar më shumë media nga sa lajme mund të prodhojë një vend i vogël si Shqipëria, gjë që shtyn televizionet e panumërta që duhet të japin lajme 24 orë dhe që dreqi e di se si i sigurojnë paratë për të paguar rrogat, të kapen pas çdo detaji për të tërhequr vëmendjen, ndërsa njëkohësisht mbushin oraret e transmetimit duke raportuar për çdo pordhë dhe çdo fëndë të politikës, ku kuptohet, shumica i përket qeverisë.

Kjo dukshëm e bën Ramën sot, ashtu edhe Berishën një dekadë më parë, si personat më pak të përshtatshëm për t’u ankuar për median.

Megjithatë, është e dukshme se lajmet e krimeve përbëjnë një arsye për t’u shqetësuar për politikanët në pushtet. Zoti Xhons te Ferma e Kafshëve ishte duke lexuar gazetën tablloid News of the World, e famshme për raportime mbi vrasje makabre, para se kafshët t’i vinin shkelmin dhe ta rrëzonin nga pushteti. Kjo e bën reagimin e Ramës jo ndaj vrasjes, por ndaj raportimit të vrasjes, të kuptueshme.

Është tipike e qeverive të kalbëzuara që t’ia hedhin fajin medias në pamundësi për të ushtruar funksionin e vet minimal: kontrollin e territorit. /reporter.al