Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, tha se mosha e pensionimit do të mbetet mosha 62-vjeçare, por ata që duan t’i marrin të gjitha përfitimet e pensionit duhet të punojnë deri në moshën 64-vjeçare.
“Ne do ta mbajmë moshën 62-vjeçare si moshë të pensionimit, por do t’i inkurajojmë punëtorët francezë që të punojnë më gjatë”, tha kryeministri.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Këshillin Ekonomik, Social dhe Mjedisor në Paris, në ditën e shtatë të grevave dhe protestave mbarëkombëtare, kryeministri Philippe deklaroi se ka ardhur koha për ta ndërtuar një sistem universal të pensioneve.
Megjithatë, ai i përmendi disa lëshime që i ka bërë qeveria, përfshirë faktin që reforma nuk do të vlejë për personat që janë lindur para vitit 1975, e jo para vitit 1963, siç ishte planifikuar më parë.
Ky plan është pjesë e premtimeve të presidentit Macron gjatë zgjedhjeve se do ta ndërtonte një sistem të thjeshtësuar dhe universal të pensioneve për t’i zëvendësuar 42 skemat e ndryshme, të cilat janë në fuqi tash për tash.
Ndaj planit të tij kanë reaguar ashpër disa sindikata të punëtorëve publikë, përfshirë punëtorët e hekurudhave, transportit publik, mjekëve dhe mësuesve. Ata filluan grevë dhe protesta masive javën e kaluar, duke shkaktuar paralizim të transportit në shumë qytete, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.