Qeveria e mirë e ndez një dritëz të vogël dhe s’e mallkon terrin - Gazeta Express
string(63) "qeveria-e-mire-e-ndez-nje-dritez-te-vogel-dhe-se-mallkon-terrin"

Qeveria e mirë e ndez një dritëz të vogël dhe s’e mallkon terrin

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/02/2022 18:18

Kosova ka nevojë urgjentisht që të ajroset nga duhma e keqe politike e cila e ka ngulfatë. Dhe kjo do të ishte fitorja më e madhe e saj në kushte paqe. Do të këndellej

Ndue Ukaj

Lexo Edhe:

Kosova sot udhëhiqet nga injoranca e thellë politike dhe disa politikanë diletantë që kanë premtuar parajsë, por që s’ janë të zotët të ndezin asnjë dritëz të vogël në “errësirë”, prandaj kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: të mallkojnë terrin.

Ne e dimë se në errësirë një dritëz e vogël vlen shumë, së paku për orientim, por ata që s’ i besojnë dritës kurrë s’provojnë ta ndezin një tillë. Atyre u mjafton të ankohen.

Kjo mendësi qeramanësh është shumë e mjerë dhe zakonisht fiton lavdi të përkohshme, por kur bie, lë pasoja tepër të mëdha.

Grupimet politika që ia mësyjnë pushtetit me epsh, zakonisht i trullos shpejt lavdia e pushtetit. Një gjë të tillë e tregon historia politike me shembuj të shumtë:  epshorët që premtojnë parajsë, zakonisht popujt i katandisin në terr dhe ferr.

Udhëheqësit që dehen nga lavdia që iu jep pushteti u ngjajnë të dehurve nga alkooli. Dhe ata kurrë s’ e kuptojnë realitetin, sepse jetojnë në dëlirin e madhështisë që u krijon aureola e pushtetit – dhe siç ka thënë shkrimtari brilant Gabriel Garcia Marquez – njerëzit e tillë, sa më shumë që kanë pushtet, aq më të vështirë e kuptojnë se kush i gënjen dhe kush ua thotë të vërtetën.

Ky shkrimtari, shkruan: “kur arrin pushtetin absolut e humbet kontaktin me realitetin dhe kjo është vetmia më e madhe që mund të përjetojë një njeri. Një person me shumë pushtet, një diktator, është i rrethuar me interesa dhe njerëz që kanë si qëllim final ta izolojnë atë nga realiteti”.

Por, dehje nga pushteti, s’është si dehje nga rakia ose vera. Kur njerëzit dehen nga  pushteti, dehja s’i lëshon lehtë, sepse, ata s’ dinë kush i gënjen e kush ua thotë të vërtetën. Kurse ata që do të duhej t’ua thoshin të vërtetën: ndaluni, kthjelluni, jeni të dehur, ata zakonisht u shërbejnë raki e verë, duke u thurë elozhe pafund.

Shoqëria jonë është rraskapitë dhe me këto mbllaçitje e këso pseudebate shterpe që përditësohen sa për të krijuar “gjallëri politike” nuk mund të shkojë askund, pos të pres në stacionin e mjerimit.

Ne, mund të flasim dhe të gjykojmë natë e ditë, të bëjmë tifo pro dikujt e kundër dikujt, por një gjë duhet ta kemi të qartë: shteti, parasëgjithash është koncept kulturor e intelektual i njerëzve të mendjes dhe jo i atyre që e mundojnë gurmazin.

Mbase, shoqëritë e konsoliduar, me traditë në punë të shtetit, edhe mund t’ia dalin me udhëheqës mediokër, por një shtet i brisht që është në rrugët të konsolidimit, me probleme e halle pafund, nuk mund t’ia del mbanë me të tillë.

“Demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”- ka thënë nobelisti i letërsisë, meksikani Octavio Paz te eseja “Historia si dialog.”

Shoqëria jonë e ka bjerrë rrugën e dialogut të brendshëm e të jashtëm dhe në vend të tij ka  zgjedhë rrugën e zhurmës e të kukurisjeve, prandaj në Kosovë është vizatuar dëshpërimi me të gjitha trajtat e tij: frikën, pasigurinë, mllefin, arrogancën.

Nëse s’ia fillojmë të besojmë se drita e mposht terrin – sot dhe jo nesër – ne do të vazhdojmë të trullosur të ecim në terr dhe të dëgjojmë kukama e mallkime, por realiteti s’ do të ndryshojë për të mirë, kurse për të keq, gjasat janë reale.

Kosova jonë e vogël ka nevojë urgjentisht që të ajroset nga duhma e keqe politike e cila e ka ngulfatë. Dhe kjo do të ishte fitorja më e madhe e saj në kushte paqe. Do të këndellej.

Pendimi dhe kërkim falja janë vlera të nalta humane dhe porta që çojnë kah paqja dhe pajtimi.