Koalicioni VLEN dje njoftoi se Qeveria ka miratuar projekt-ligjin për lojërat e fatit me të cilin kazinot, klubet e aparateve dhe bastore me aparate bixhozi, nuk do të lejohen më pranë shkollave. Megjithatë, opozita kritikon se VLEN mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin, shkruan Portalb.mk.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti njoftoi se Qeveria dje e miratoi projekt-ligjin e ri për lojërat e fatit.
“Kazinot, klubet e aparateve dhe bastore me aparate bixhozi, nuk do të lejohen më pranë shkollave. Do ta pastrojmë hapësirën rreth institucioneve arsimore nga ndikimi i lojërave të fatit. Nxënësit nuk do të ekspozohen më ndaj kësaj industrie shkatërruese. Rinia do të jetë e mbrojtur, siç e meriton”, tha Mexhiti.
Ai sqaroi se shteti vendos kontroll të hekurt mbi bixhozin dhe se tani do të ketë rregulla të reja, taksa më të larta dhe kushte që do të pastrojnë tregun nga operatorët abuzivë.
“Po e fusim nën kontroll një sektor që për vite ka qenë jashtë çdo kufiri.Kemi vendosur t’i japim fund epokës kur fitimet e bixhozit ishin mbi mirëqenien e qytetarëve. Ky është ligji i njerëzve të zakonshëm, i popullit. Ligji që mbron nxënësin, prindin, familjen”, tha Mexhiti.
Menjëherë kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ata thonë se me këtë ligj nuk ndalohen as bastet pranë shkollave dhe se VLEN flet pa e lexuar ligjin.
“Pavarësisht propagandës se do të mbyllen kazinot dhe bastoret pranë shkollave, teksti ligjor flet ndryshe: bixhozi jo vetëm që nuk mbyllet, por institucionalizohet me përjashtime të rrezikshme që dëmtojnë familjen dhe të rinjtë tanë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit.
Siç thonë ata, dëshmi për këtë është përmbajtja e Nenit 24, i cili në mënyrë të qartë:
“Kërkojmë mbyllje reale dhe të pakushtëzuar të të gjitha kazinove, bastoreve dhe formave të lojërave të fatit që funksionojnë pranë institucioneve arsimore dhe në lagje të banuara”, thanë nga ASh Taravari.
Nga BDI thonë se VLEN-i premtoi se do t’i mbyllte kazinotë, ndërsa sot kazinotë janë afër se kurrë, midis lagjeve, pranë shkollave, përballë xhamive.
“Sot ata duan të lavdërohen për një ligj që është më shumë se maskim. Një ligj që s’i prek dot as kazinotë e lagjeve, as bastoret në çdo cep, as bixhozin online që u rrit më shumë se kurrë. Një ligj që është shumë më i dobët se ai që vetë e rrëzuan më parë. VLEN-i sot përfaqëson më shumë interesat e kazinove sesa të qytetarëve. Nga “luftëtarë të bixhozit” u shndërruan në mbrojtës të tij. Nga premtime me bujë, në mbrojtës të monopolit në këtë industri. Nëse dikush ende ka dyshime se kush përfiton nga prania e pakontrolluar e bastoreve dhe kazinove, le t’i shikojë qëndrimet dhe pozicionet e VLEN-it. Ata nuk po luftojnë bixhozin – po e menaxhojnë atë për interesa të veta”, thanë nga BDI.
Portalb.mk e kërkoi nga Qeveria propozim-ligjin për lojërat e fatit të cilin e miratuan dje, por nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë se kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.
tag_katrorimaqedoni_2