Qeveria e presidentit Nicolas Maduro ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e vendit, në përgjigje të asaj që e cilëson si një kërcënim të drejtpërdrejtë për agresion ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez gjatë një takimi me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Caracas. Ajo deklaroi se dekreti i posaçëm i jep presidentit Maduro “fuqi të veçanta” për të ndërmarrë masa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
“Venezuela do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me çdo mjet të nevojshëm,” tha Rodriguez, duke shtuar se institucionet janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo skenar të mundshëm agresioni.