Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka propozuar para kabinetit qeveritar emrin e Gafurr Dugollit për Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Maqedonci para anëtarëve të kabinetit qeveritar ka treguar se emri i Gafurr Dugollit ka dalë nga konkursi që ka hapur ministria e Mbrojtjes.
“Më lejoni që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, të propozojë për shqyrtim dhe miratim vendimin me anë të së cilit kërkohet emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Propozimi bazohet në raportin e komisionit vlerësues për zhvillimin e të gjitha fazave të procedurave të pozitave të larta drejtuese, përkatësisht për zgjedhjen e kandidatit të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Gafurr Dugolli”, ka thënë Maqedonci.
Gafur Dugolli është vëllai i Enver Dugollit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje që udhëheq me Qeverinë. Enver Dugolli është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili mbikëqyr punën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Para pozitës në të cilën është emëruar të mërkurën, Dugolli ka mbajtur pozitën e shefit i njësisë së protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrues i detyrës së pozitës së Sekretarit.