Pas thirrjes së dytë, Qeveria sot nënshkroi marrëveshje me të gjitha komunat, për gjithsej 828 projekt me vlerë të përgjithshme prej rreth 225 milion euro.
Nga gjithsej 887 projekteve që kanë arritur, 828 janë pranuar, ndërsa kryeson Manastiri me 65 projekte. Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se më së shumti do të investohet në fushën e transportit.
“Pjesa më e madhe e projekteve, madje 589 janë në fushën e transportit, ku do të investohen mbi 8 miliardë denarë, ose 132 milion euro. Kjo nënkupton rrugë të reja dhe të rehabilituara, ura e lidhje lokale. Në arsim me 48 projekte, investojmë 1,6 miliardë denarë për shkolla të reja, rinovime të klasave dhe çerdheve”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Investime do të ketë edhe në fushën e mjedisit.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti njoftoi se u nënshkruan marrëveshje përmes të cilave 51 komunave, do tu ndahen rreth 2,5 miliardë denarë për realizimin e 143 projekteve infrastrukturore në fushën e furnizimit me ujë, kanalizimit, mbrojtjes nga reshjet atmosferike dhe rregullimit të shtretërve të lumenjve.
“Atë që mund ta them diku 30 për qind të mjeteve, janë për komunat shqiptare, sepse janë drejtpërdrejtë për komuna me shumicë shqiptare, ndërsa diku janë projekte për komunat ku shqiptarët nuk janë shumicë, por ka siç është rasti i projektit dje që kaloi në Qeveri, për ujësjellësin e Lubotenit, që është në komunën e Butelit, mirëpo bëhet fjalë për vendbanim shqiptar. ..01:33 Diku 2,5 miliardë denarë janë për ministrinë e ekologjisë, ku kryesisht janë për ujësjellës, kanalizime, infrastrukturë nëntokësore”, u shpreh Izet Mexhiti, zv kryeministër i parë.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami tha se në këtë thirrje ka lidhur marrëveshje për 34 projekte konkrete që qytetarët i kanë pritur gjatë kohë.
“Këto janë projekte konkrete, për rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla dhe investime që i japin fund pritjes shumëvjeçare”, tha Kasami.
Në këtë thirrje të dytë, janë nënshkruar edhe projekte të tjera në fushën e kulturës, politikës sociale dhe sportit dhe janë të ndara nëpër të gjitha komunat e shtetit. Autoritetet e Qeverisë thonë se kudo që ka pasur projekte, Qeveria ka ofruar mbështetje pa bërë ndarje apo diskriminim ndaj qytetarëve.
tag_katrorimaqedoni_2