Qeveria britanike ndalon shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç, synim përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor - Gazeta Express
string(125) "qeveria-britanike-ndalon-shitjen-e-pijeve-energjike-per-te-miturit-nen-16-vjec-synim-permiresimi-i-shendetit-fizik-dhe-mendor"

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 12:28

Qeveria britanike ndalon shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç, synim përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 12:28

Qeveria britanike ka njoftuar se do të ndalojë shitjen e pijeve energjike, si Red Bull dhe Monster, për fëmijët nën moshën 16 vjeç në Angli. Masa synon të përmirësojë shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve, si dhe të ndihmojë në luftën kundër obezitetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth një e treta e adoleshentëve të moshës 13 deri në 16 vjeç dhe gati një e katërta e fëmijëve të moshës 11 deri në 12 vjeç konsumojnë çdo javë një ose më shumë nga këto pije me përmbajtje të lartë kafeine dhe sheqeri.

Qeveria ngre alarmin për “ndikimin e dëmshëm” të këtyre pijeve në shëndetin e të rinjve, duke theksuar problemet që lidhen me gjumin, rritjen e ankthit, përqendrimin e ulët dhe rezultatet e dobëta në shkollë.

“Si mund të presim që fëmijët të kenë sukses në shkollë, kur konsumojnë përditë një sasi të kafeinës sa një dopio espreso?”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting.

Ai shtoi se, ndonëse këto pije mund të duken të padëmshme, ato ndikojnë negativisht në gjumin, përqendrimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Për më tepër, versionet me përmbajtje të lartë sheqeri dëmtojnë dhëmbët dhe kontribuojnë në rritjen e obezitetit.

Sipas propozimit të qeverisë, do të bëhet e paligjshme shitja e pijeve energjike që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër për personat nën moshën 16 vjeç.

Ndalimi do të zbatohet në të gjitha pikat e shitjes, përfshirë dyqanet fizike, restorantet, kafenetë, shitësit automatikë dhe platformat online.

Një proces konsultimi 12-javor ka nisur sot për të mbledhur opinione nga ekspertë të shëndetit, arsimtarë, përfaqësues të sektorit të shitjes dhe palë të tjera të interesuara.

Ky vendim vlen vetëm për Anglinë, ndërsa Irlanda e Veriut, Skocia dhe Uellsi kanë kompetenca të veçanta në fushën e shëndetësisë dhe vendosin individualisht për masa të tilla.