Pesë vendimet që kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do t’i ndërmarrë menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit ende nuk janë realizuar të gjitha.
Sipas zyrtarëve nga ekzekutivi, një pjesë e tyre janë bllokuar për shkak të pezullimit të punës së Kuvendit.
Para zgjedhjeve, Kurti pati deklaruar se pesë vendimet e para të tij do të jenë: miratimi i buxhetit prej 4 miliardë eurosh, procedimi i Ligjit për Çmime Tavan, procedimi i plotësim-ndryshimit të ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficione, vendimi për pagën e 13-të për shërbyesit publik dhe miratimi i Pakos për Përballje me Inflacion 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka thënë se masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri më 31 mars ka ndikuar në realizimin e një pjese të këtyre zotimeve.
“Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, që për bindjen tonë të thellë është jokushtetues, e më pas edhe pezullimi edhe i Kuvendit nga ana e Gjykatës Kushtetuese ndikon një pjesë të rëndësishme të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmbushjen e agjendës legjislative, e po ashtu marrëveshjet ndërkombëtare. Këtu hyn edhe ndryshimi i ligjit që kufizon veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficionin edhe të punojnë”, ka thënë Manxhuka.
Në Qeveri kanë theksuar se miratimi i Ligjit për Buxhetin, që përfshinë edhe pagën e 13 janë miratuar muajin e kaluar.
E për disa nga zotimet e tjera, kanë thënë se tashmë kanë filluar procedurat.
“Po ashtu muajin e kaluar, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për projektligjin për çmimet tavan. Kurse, miratimi i Pakos për Përballje me Inflacion 2.0 do të shqyrtohet dhe miratohet me kohë brenda një afati sa më të arsyeshëm kohor”, ka thënë Manxhuka.
E kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar, me synimin që zotimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të shndërrohen në program konkret qeverisës për mandatin e ri.
Ai të dielën ka ndarë në Instagram pamje nga dita e dytë e takimit, teksa ministrat shihen duke hyrë në mbledhje.
“Dita e dytë e takimit tërëditor të kabinetit qeveritar. Projekte të mëdha e punë të mira na presin”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, më 6 mars presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e kuvendit, pasi deputetët nuk arritën ta zgjedhin presidentin e ri. Por, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme ndaj këtij dekreti, gjithashtu ndaloi edhe çdo veprim të Kuvendit. /Koha