Andreas Christensen mund të jetë një nga emrat që Barcelona do të sakrifikojë këtë verë. Edhe pse dëshira e mbrojtësit danez është të qëndrojë në “Camp Nou”, ai është i vetëdijshëm se pozita e tij në skuadër është bërë më e pasigurt, pas mungesës së vazhdueshme në formacionin bazë sezonin e kaluar, nën drejtimin e Hansi Flick.
Me emra si Pau Cubarsí, Iñigo Martínez, Ronald Araujo dhe Eric Garcia që konkurrojnë për pozitat në qendër të mbrojtjes, hapësirat për Christensen-in janë ngushtuar ndjeshëm. Edhe pse ai beson në aftësitë e tij për të fituar një vend titullari, nëse Flick nuk llogarit në të, do të shqyrtojë seriozisht alternativa të tjera – shkruan gazeta Sport.
Një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojë në largimin e tij është nevoja urgjente e klubit për të ulur faturën e pagave, në mënyrë që të regjistrojë blerjet e reja. Emri i Christensen është në listë për shkak të pagës së lartë dhe kontratës që zgjat deri në qershor 2026. Barça do të ishte e gatshme ta largojë edhe për një shumë simbolike, nëse kjo ndihmon në balancimin e bilancit financiar.
Gjatë merkatos dimërore, AC Milan kishte shfaqur interes për mbrojtësin dhe gjithçka tregon se italianët mund të rikthejnë përpjekjet për ta marrë këtë verë. Opsioni i Serie A është tërheqës për lojtarin, i cili ka prioritet të mbetet në futbollin evropian përpara se të konsiderojë ofertat nga Arabia Saudite – një tjetër destinacion që ka shfaqur interes për të.
Nuk përjashtohet as mundësia që ai të mbetet në La Liga, nëse paraqitet një projekt që i garanton minuta të rregullta.
Ndërkohë, Christensen mbetet i vendosur për të bindur Flick gjatë përgatitjeve parasezonale. Ai nuk dëshiron të mbyllë përfundimisht derën e Barcelonës, por koha nuk është në anën e tij dhe e ardhmja vazhdon të jetë e paqartë. Nga ana tjetër, klubi nuk përjashton shitjen nëse danezi nuk përshtatet me planet e trajnerit të ri.