Policia ka arrestuar një 33-vjeçar, në fshatin Theth, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri pistoletë, në drejtim të një automjeti me të cilin po qarkullonin tre persona të tjerë.
Po ashtu u proceduan në gjendje të lirë 3 personat e tjerë, sepse ushtruan dhunë fizike ndaj 33-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Ndërhyrja e Policisë parandalon përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet disa shtetasve.
Qëlloi me armë zjarri pistoletë, në drejtim të një automjeti me të cilin po qarkullonin 3 shtetas, në fshatin Theth, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari. Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetasit, sepse ushtruan dhunë fizike ndaj 33-vjeçarit. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Theth, ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, kanë organizuar punën në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.
Në vijim të veprimeve për rastin:
– u arrestua shtetasi A. Rr., 33 vjeç, banues në fshatin Theth;
– nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. H., 29 vjeç, P. H., 27 vjeç dhe D. Rr., 29 vjeç, të tre banues në fshatin Theth.
Nga hetimet dyshohet se dje pasdite, për motive të dobëta, shtetasi A. Rr. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të automjetit me drejtues shtetasin N. H. dhe pasagjerë shtetasit P. H. dhe D. Rr. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet.
Më pas, këta 3 shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 33-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.