Pas ngjarjes së ndodhur sot rreth orës 12:00 në vendin e quajtur “Gajush”, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, ku një efektiv policie qëlloi në gomën e një automjeti që nuk iu bind urdhrave për ndalim, Policia e Shtetit ka dalë me një reagim zyrtar.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, po drejtonte mjetin me leje drejtimi të hequr dhe tentoi të largohej me shpejtësi gjatë një kontrolli rutinë, duke rrezikuar jetën e efektivit të policisë.
“Veprimi i punonjësit të policisë për të përdorur armën e shërbimit në drejtim të gomës së automjetit është kryer në kushte rreziku të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm, me qëllim neutralizimin e një situate që mund të përshkallëzohej në pasoja të rënda për jetën e efektivëve dhe qytetarëve të tjerë,” thuhet në reagimin e policisë.
Policia thekson se pas ndalimit të mjetit, brenda tij është gjetur edhe një armë e ftohtë që mbahej pa leje nga drejtuesi i automjetit.
Njoftimi i ploicisë:
Drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr, si dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale, drejtuesi i automjetit u neutralizua pa pasoja.
Rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, shërbimet e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe sigurinë e Autostradave, të caktuar me shërbim në Lezhë, i bënë shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhërave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente.
Ngjarja është menaxhuar pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 291, 236 dhe 279 të Kodit Penal.
Një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po kryen të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.