Qeliza dhe yjet - Gazeta Express
string(15) "qeliza-dhe-yjet"

Gazeta Express

23/03/2020 10:15

Qeliza dhe yjet

Gazeta Express

23/03/2020 10:15

Protesta e ballkonit nuk është asgjë përveç se një zhurmë e mbetur brenda kokave të realitetit të zhurmës. Një kulturë që nuk e njeh ndryshueshmërinë e “ti”, por vetëm narcisizmin e “unë” dhe fashizmin e “ne”

Shkruan: Genc Kadriu

Lexo Edhe:

Sonte Prishtina është një zbrazëti e madhe. Një qytet i pastruar nga luzma e tregut dhe nga dëshirat e parreshtura të kaosit. Edhe pse jam i frikësuar, jam i kapluar nga një qetësi e paimagjinuar.

Atë që hisedarët e paraluftës, komandantët e luftës dhe aktivistët e pasluftës, kanë dështuar për ta arritur, e ka arritur një virus i botës shtazore. Borxhin e televizionit të reklamës Shell, të intelektualit të USAID dhe të artistit të ambasadës, po e lanë një virus i kredisë ekologjike.

Nesër do të vijojë loja e fajësimit ndërmjet shefave të demokracisë. Dhe lojës do t’i përgjigjen minionët e status kuosë, duke thenë që të gjithë kanë faj njësoj. Sikur në sheshet e lodrave, kërkesat do të zbriten tek një kthim reaktiv i marrëdhënieve miqësore midis këtyre dhe atyre. Në mënyrë që, siç thuhet, “interesat e qytetarëve duhet t’u paraprijnë interesave partiake.”

Gjë që do të tingëllonte perfekt në kushte normale. Por në kushte normale, qytetarët do të ishin shumë të zënë me normalitet. Nuk do të kishin kohë për t’i rrahur tupanat dhe tenxheret. Sheshet dhe rrugët e tyre do të vlonin me epsh, me konsum dhe me kerre. Të zërë me plane fitimprurëse, ata nuk do të kishin kohë për të kërkuar shëndet.

Ani pse do të vazhdonin të vdisnin me mijëra në vit nga qymyri dhe nga nafta. Ani pse mjekët do të punonin paradite në QKUK dhe pasdite në ordinanca private. Ani pse do të shtroheshin më shumë rrugë, për më shumë kerre. Ani pse gratē në pushtet do të thoshin se vetëm njohjet sjellin investime. E burrat në pushtet do të thoshin që krimin e luftojnë vetëm antarësimet.

Në kushte normale nuk do të kishte problem për mocione (mosbesimi) dhe zgjedhje (të jashtëzakonshme.) Sepse do të kishte rezerva të mjaftueshme me miq dhe armiq për ta maskuar shkatërrimin e tokës. Për ta vazhduar maskaradën e “zhvillimit”.

Në kushte normale, qytetarët do të vazhdonin ta kërkonin ndryshimin e jetës, por nuk do ta ndryshonin jetën e tyre për ta bërë ndryshimin. E për këta lloj qytetarësh, gjithmonë do të kishte politikanë që do t’ju premtonin ndryshimin. Por pa efektet anësore të ndryshimit.

Në kushte normale, për këta konformista, gjithmonë do të kishte popullista dhe alarmista. Që do t’ua premtonin ato 15 minutat e famës. Hajna që do të merrnin mesim nga të ndershmit. Të ndershëm që do të merrnin mësim nga hajnat. E konformistat do të vazhdonin t’i votonin, herë njërin e herë tjetrin.

Nuk nevojitet shumë për ta kuptuar që “protesta e ballkonit” është e vërteta shqetësuese e heshtjes komplicite të qytetarit. Një formë e qullosur e pseudo-aktivizmit. Sepse çfarë mund të jetë tjetër një protestë, e cila nuk i drejtohet reflektimit për ndryshim thelbësor, tregues i të cilit është vetë pandemia, por i kushtohet arrogancës së lazdruar, aktualisht të frenuar në shinat e padrejta të pangopësisë dhe degradimit.

Asgjë përveç se një zhurmë të mbetur brenda kokave të realitetit të zhurmës. Një kulturë që nuk e njeh ndryshueshmërinë e “ti”, por vetëm narcisizmin e “unë” dhe fashizmin e “ne”.

Sonte Prishtina është e qetë dhe me yje. Është nata e ëmbël që nuk erdhi as me NATO-n, e as me ditën. Është mesazhi më i merituar nga natyra e Kosovës qytetarëve të Kosovës. Shoqërisë dhe shtetit që ajrin e bënë mbetje kimike, lumin ujëra të zeza, pyllin bërllog, livadhin rrethrrotullim, gjelbërimin parking, drurin beton, horizontin mur, vizionin qorrsokak, politikën mohim.

Virusi është mënyra më perfide e parazitizmit. Ai futet në qelizë dhe ai ka fuqi që askush nuk e shqyrton se cila është ajo fuqi. Ai e synon qelizën dhe mekanizmin e saj të mirëmbajtjes së jetës. Ai ka aftësi që tërë atë mekanizëm të bukur ta eliminojë dhe ta shndërrojë në aparat të riprodhimit të vet. Keshtu ai shumohet e zgjërohet nga qeliza nē qelizë, duke dëmtuar organe, shkaktuar plagë, atrofi dhe vdekje.

Sonte Prishtina është një zbrazëti e madhe. Qeliza një simbol i drejtpeshimit midis njeriut dhe natyrës në Kosovë.

23 mars 2020