Qazimi i mirë... - Gazeta Express

Ballina

Ermal Mulosmani

01/04/2020 15:17

Qazimi i mirë…

Ballina

Ermal Mulosmani

01/04/2020 15:17

Lajmi i ditës së djeshme ishte pompisti-infermier Qazim Ismaili, njëri prej 30 shqiptarëve që mbërriti në Itali për të ndihmuar në situatën e vështirë që po kalon vendi përballë. Ekipi i shqiptarëve, i dërguar pikërisht në një kohë të vështirë edhe për realitetin tonë,  pati një jehonë të jashtëzakonshme në mediat italiane.

Sigurisht, numri i ekipit mjekësor të dërguar ishte vetëm një pikë ujë në detin e mjekësisë italiane (ishte si të shtosh një ushtar në ushtrinë prej një mijë të tillëve) por Shqipëria mori një reklamë të madhe pozitive ndërsa Italia iu hakërrye Bashkimit Evropian për mungesën e solidaritetit.

Ky ishte edhe qëllimi i vërtetë i dy palëve në fakt.

Madje edhe një politikan i njohur për prirjet e tij të ekstreme dhe shpesh antishqiptare, si Mateo Salvini, e përshëndeti dhe e falenderoi Shqipërinë për gjestin bujar.

Kryemnistri Rama kishte qëlluar në shënjë këtë radhë. Kompensimi që mori në shkëmbim të atij ekipi me 10 mjekë e 20 infermierë ishte i jashtëzakonshëm, disproporcional. Italia kishte nevojë shumë për gjestin jo për numrin e as kualitetin e mjekëve. Në analizë të fundit, në një luftë ekzistence është i mirëpritur edhe ushtari më i papregatitur.

Qeveria Shqiptare thirri ku ishin e ku nuk ishin njerëz për të shkuar dhe ia arriti të bënte 30 vetë.

Buja u bë, Shqipëria përfitoi (teprimet e meritave individuale dhe mitizimet “skënderbease” të kryeministrit nuk mund të mungonin sigurisht) dhe të gjithë dukeshin të kënaqur. (Në një titull të një të përditshmeje qeveritare lexova: “Italianët i kërkojnë Ramës të bëhet Kryetar i Komisionit Evropian”). Sensi i masës është një bimë që nuk rritet në këtë tokë.

Por, papritur, dje doli një lajm i çuditshëm. Njëri nga dërgata e shqiptarëve, deri tre ditë përpara se të nisej për Itali,  kishte punuar në një pikë karburanti të Vorës si pompist (mbushës karburanti). Megjithëse ai kishte një kualifikim për infermier, nuk e kishte ushtruar asnjëherë punën e tij. Quhej Qazim Ismaili dhe ishte 56 vjeç.

Kur e pashë foton e Qazimit m’u kujtua menjëherë Dr. Patch Adams i interpretuar nga i madhi Robin Williams. Ishte një fytyrëmirë që transmetonte pozitivitet. Një 56 vjeçar që kishte mbërritur në Itali për të rrezikuar seriozisht jetën e tij. Dihet që koronavirusi ka probabilitet të lartë infeksioni te stafi mjekësor dhe është shumë i rrezikshëm për moshat mbi 55 vjeç. Pra, më i rrezikuari në atë dërgatë ishte Qazimi. Kur e pashë që shkrimi merrej me arsyet e dërgimit të një infermieri pa përvojë u habita. Qazimi më zbuti shpirtin edhe mua duke e parë, me siguri do u hynte në punë të sëmurëve italianë.

Gazetari Enton Abilekaj mendonte që kjo gjë duhej denoncuar dhe jepte disa arsye për këtë. Ai merrej me gënjeshtrat e Ministrisë për kualifikimet e Qazimit dhe në fund ia nxirrte bojën; fakti që Qazimin nuk e merrnin në punë tregon që nuk e besonin, pra ishte i paaftë. Dhe të paaftët nuk duheshin dërguar, duhej dërgoheshin më të aftët që të nderonin mjekësinë shqiptare!

Jam kryekëput kundër këtij këndvështrimi. Shqipëria nuk po shkonte në një panair shkencor që të prezantonte arritjet e saj më të mira. Shqipëria po çonte ndihmë me personel sipas mundësive duke pasë edhe hallet e veta në konsideratë. Pra do çonte aq personel dhe të atij kualiteti sa i ka mundësitë. Në një luftë të përmasave të tilla, çdo infermier, çdo student kryen punë. Edhe ata të viteve të para, edhe sanitarët madje edhe vullnetarët e pakualifikuar. Italianët me siguri i kanë pasë të dhënat e ekipit mjekësor, dinë vetë ata se si t’i menaxhojnë. Ky meraku se po turpëron mjekësinë shqiptare pompisti-infermier me fytyrën e mirë, ishte i tepërt. Kështu të paktën e mendoj unë.

Nëse ka një arsye pse unë jam kundër vendimit për t’a dërguar Qazën e mirë në Itali është mosha e tij. Një hall i madh do ta ketë bërë të pranojë ofertën. Financiar me siguri. Të ardhurat si pompist karburanti janë të vogla, hallet e Qazimit të mirë janë me siguri më të mëdha. Prandaj ai vendosi të sakrifikonte një muaj për të marrë ato 3 mijë Euro e zbutur pak situatën. Atë ditë që mori aprovimin për të shkuar do jetë gëzuar shumë, nuk do i ketë ra ndër mend për rrezikun e jetës që i kanoset. Edhe kur mbërriti në Itali ishte entuziast…

Por, befas, kur po priste të shkonte në Spitalin e Breshias, një sms i erdhi në celularin e tij:

“A je ti Qazim Ismaili, pompisti i benzinatës së Vorës? Po të shkruajmë nga portal X”.

Qazimi i shkretë u tmerrua! Mos! “Më zbuluan”!- tha me vete dhe kushedi se çfarë situate imagjinare i prodhoi ankthi që e zuri.

“Mbase më futin në burg, mbase më kthejnë dhe do lë pa marrë ato para të bekuara që do ma lehtësonin jetën e vështirë”- vazhdoi Qaza i mirë. U përpoq të justifikohej a thua gjendej para hetuesve: “ Jo unë nuk kam pasur…” etj etj.

Qazë i dashur, ti je më i miri ndër ne që shkruajmë për ty. Ti vendose të rrezikosh jetën për hallet ose fëmijët e tu. Ti je shembullor, ne jemi ca hiena që, në luftë me tigrin, nuk njohim skrupuj.

Kalofsh bukur e ardhsh shëndoshë në atdhe.