Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë disa fotografi që paraqesin figura publike vendore dhe ndërkombëtare në situata apo takime që nuk janë të konfirmuara nga burime zyrtare.
Së fundi, ka pasur edhe reagime nga disa deputetë të Kosovës, të cilët kanë deklaruar se qëndrimet apo deklaratat e tyre janë paraqitur në konotacion të gabuar.
Së fundmi është publikuar një postim me fotografi në rrjete sociale që pretendon se miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku thuhet se ai ka premtuar investime “qindra milionëshe” në Kosovë. Postimi shoqërohet me një fotografi që paraqet dy figurat në një ambient zyrtar.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës apo nga vetë Musk për një takim apo për ndonjë investim të tillë. Lajmi nuk është raportuar nga media kredibile ndërkombëtare apo vendore.
Në një tjetër rast është shpërndarë një imazh ku deputetja Janina Ymeri nga LDK paraqitet me një bluzë me mbishkrim politik. Edhe ky imazh dyshohet se është manipuluar apo krijuar me inteligjencë artificiale, pasi nuk ekziston asnjë konfirmim apo pamje autentike nga aktivitetet publike të saj që dëshmon se ajo është shfaqur me një mesazh të tillë.

Për këtë ka reaguar edhe vetë deputetja Ymeri në një postim në Facebook duke e quajtur këtë të manipuluar dhe jo real.
Po ashtu, në qarkullim janë edhe imazhe të tjera me përmbajtje politike, të cilat dyshohet se janë krijuar ose manipuluar përmes inteligjencës artificiale. Ekspertët e komunikimit digjital paralajmërojnë se teknologjitë gjeneruese kanë bërë të mundur krijimin e fotografive realiste, të cilat mund të përdoren për të keqinformuar opinionin publik.
As kjo fotografi e as deklaratat e zyrtarëve të LDK-së nuk janë të vërteta dhe reale.

Rritja e përmbajtjeve të tilla në rrjetet sociale ka shtuar nevojën për verifikim të informacionit përmes burimeve zyrtare dhe mediave të besueshme. Qytetarëve u rekomandohet që të tregojnë kujdes para se të shpërndajnë përmbajtje që nuk ka konfirmim institucional apo burim të qartë.
Institucionet dhe organizatat që merren me monitorimin e dezinformimit vazhdojnë të bëjnë thirrje për rritjen e edukimit medial dhe digjital, në mënyrë që të parandalohet përhapja e lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve të manipuluara./Telegrafi