Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes që do të mbahen në Turqi.
Sipas The Guardian, ministria e Jashtme ruse poashtu ka bërë të ditur se bisedimet janë shtyrë për në orët e pasdites “me iniciativë të Turqisë”.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për përpjekjet diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa përfaqësues të të dyja palëve po përgatiten për takimin në Stamboll.
Kujtojmë se presidenti ukrainas Zelensky ndodhet në Ankara, ku pritet të takohet me presidentin turk Erdogan, por ai ka bërë të ditur se nuk do të negociojë drejtpërdrejt me asnjë tjetër përveç presidentit rus.
Këto bisedime ishin propozuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, disa orë pasi Ukraina dhe shtetet evropiane i bënë thirrje Moskës që të pajtohej për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor.