Si masë ndaj rënies katastrofike të lindshmërisë në vend, Rusia ka krijuar një grup të ri zyrtarësh, të përshkruar si një “Njësi Speciale Demografike”, raporton The Moskow Times, duke cituar gazetën ekonomike RBC.
Raportohet se masa është shpallur gjatë një konference për shtyp nga Valentina Matviyenko, kryetarja e Këshillit të Federatës, ku sipas saj, krijimi i këtij grupi e vë çështjen e familjes si prioritet kombëtar.
“Sot, çdo agjenci rajonale mund t’ju tregojë emrin e zëvendësministrit përgjegjës për demografinë. Është krijuar një njësi speciale demografike. Mund të shpresojmë se do t’i rikthehemi vlerave tona tradicionale,” ka thënë ajo.
Mediat ruse raportojnë se krijimi i grupit është në përputhje me përpjekjet e mëparshme për të trajtuar krizën në rritje të popullsisë në Rusi. Por, megjithë fushatat e gjera promovuese për familje më të mëdha, thirrjet publike të zyrtarëve dhe të presidentit Vladimir Putin, si dhe kufizimet ndaj aksesit në abort, Rusia deri më tani nuk ka arritur të ndalë rënien demografike.
Raportohet se shifrat vjetore të lindshmërisë janë shqetësuse, ku në vitin 2024 lindën vetëm 1.2 milionë fëmijë në Rusi – numri më i ulët që nga viti 1999. Ndërsa, thuhet se për të kontrolluar perceptimin publik mbi krizën, autoritetet kanë kufizuar qasjen në statistikat e hollësishme demografike dhe të dhënat e përgjithshme të popullsisë në Rusi.
Lideri rus Vladimir Putin e ka nisur Projektin Kombëtar për Demografinë që në vitin 2018, me synim ndalimin e rënies së popullsisë, ndërsa vitin e kaluar e ka përsëritur qëllimin e tij për të ndalur rënien natyrore të popullsisë deri në vitin 2030.