Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka gjasa t’i nënshtrohet një ultimatumi të vendosur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Trumpi ka paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një armëpushim në Ukrainë deri në fundjavë. Putin vazhdon të ketë qëllim t’i kapë tërësisht katër rajone të Ukrainës, kanë thënë për agjencinë “Reuters” burime pranë Kremlinit.
Trumpi ka kërcënuar ta godasë Rusinë me sanksione të reja dhe të vendosë tarifa 100% për vendet që blejnë naftën e saj, nga të cilat më të mëdhatë janë Kina dhe India, nëse Putini nuk pranon një armëpushim në Ukrainë.
Vendosmëria e Putinit për të vazhduar nxitet nga besimi i tij se Rusia po fiton dhe nga skepticizmi se edhe më shumë sanksione të SHBA-së do të kenë një ndikim të madh pas valëve të njëpasnjëshme të ndëshkimeve ekonomike gjatë tre vjet e gjysmë lufte. Kështu thonë tri burime të njohura me diskutimet në Kremlin.
Udhëheqësi rus nuk dëshiron ta zemërojë Trumpin dhe e kupton se mund të jetë duke refuzuar një shans për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Washingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij të luftës kanë përparësi, kanë thënë dy nga burimet.
Qëllimi i Putinit është t’i pushtojë plotësisht rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, të cilat Rusia i ka pretenduar si të vetat, dhe më pas të flasë për një marrëveshje paqeje, ka thënë një nga burimet.
“Nëse Putini do të ishte në gjendje t’i pushtonte plotësisht këto katër rajone që ai i ka synuar prej kohësh, ai mund të pretendojë se lufta e tij në Ukrainë i ka arritur objektivat e tij”, ka thënë James Rodgers, autor i librit të ardhshëm “Kthimi i Rusisë”.
Procesi aktual i bisedimeve, në të cilin negociatorët rusë dhe ukrainas janë takuar tri herë që nga maji, ishte një përpjekje nga Moska për ta bindur Trumpin se Putini nuk po e refuzonte paqen, ka thënë burimi i parë, duke shtuar se bisedimet ishin të privuara nga substanca reale, përveç diskutimeve mbi shkëmbimet humanitare.
Rusia thotë se është serioze në lidhje me arritjen e një paqeje afatgjatë në negociata, porse procesi është i ndërlikuar, sepse qëndrimet e të dyja palëve janë shumë larg njëra-tjetrës. Putini javën e kaluar i ka përshkruar bisedimet si pozitive.
Kërkesat e Moskës përfshijnë një tërheqje të plotë të Ukrainës nga katër rajonet dhe pranimin nga Kievi të statusit neutral dhe kufizimeve në madhësinë e ushtrisë së saj, kërkesa këto të refuzuara nga Ukraina.
Në një shenjë se mund të ketë ende një mundësi për të arritur një marrëveshje para afatit, i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, pritet ta vizitojë Rusinë këtë javë, pas një përshkallëzimi të retorikës midis Trumpit dhe Moskës mbi rreziqet e luftës bërthamore.
“Presidenti Trump dëshiron t’i ndalojë vrasjet, prandaj po u shet armë të prodhuara në Amerikë anëtarëve të NATO-s dhe po e kërcënon Putinin me tarifa dhe sanksione të ashpra nëse nuk pranon një armëpushim”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, në përgjigje të një kërkese për koment.
Trumpi, i cili në të kaluarën e ka lavdëruar Putinin dhe ka ofruar mundësinë e marrëveshjeve fitimprurëse biznesi midis dy vendeve të tyre, kohët e fundit ka shprehur rritje të padurimit me presidentin rus. Ai është ankuar duke i quajtur “budallallëqe” sjelljet e Putinit dhe i ka përshkruar bombardimet e pamëshirshme të Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase nga Rusia si “të neveritshme”.
Kremlini ka thënë se i ka vënë re deklaratat e Trumpit, por ka refuzuar t’u përgjigjet atyre.
Ndërkohë, kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, javën e kaluar i ka bërë thirrje botës të përgjigjet me “presion maksimal” pas sulmit më të keq ajror rus të vitit që vrau 31 persona në Kiev, përfshirë pesë fëmijë.
Kërcënimi i Trumpit me sanksione ishte “i dhimbshëm dhe i pakëndshëm”, por jo një katastrofë, ka thënë burimi i dytë. Burimi i tretë ndërkaq ka thënë se në Moskë ekzistonte një ndjenjë se “nuk ka asgjë më tepër që mund të na bëjnë”.
Gjithashtu nuk është ende e qartë nëse Trumpi do ta zbatojë ultimatumin e tij, ka thënë ky person, duke shtuar se “ai ka bërë kërcënime më parë” dhe më pas nuk ka vepruar, ose ka ndryshuar mendje.
Burimi ka thënë gjithashtu se është e vështirë të imagjinohet që Kina do ta ndalojë blerjen e naftës ruse me udhëzime nga Trumpi, dhe se veprimet e tij rrezikonin të kishin efekt të kundërt duke rritur çmimet e naftës.
Si pasojë e rundeve të mëparshme të sanksioneve, eksportuesit rusë të naftës dhe gazit kanë marrë goditje të mëdha në të ardhurat e tyre, dhe investimet e huaja direkte në vend kanë rënë me 63% vitin e kaluar, sipas të dhënave tregtare të OKB-së. Rreth 300 miliardë dollarë asete ruse në bankë qendrore janë ngrirë.
Por, aftësia e Rusisë për të zhvilluar luftë ka qenë e papenguar, pjesërisht falë furnizimeve me municione nga Koreja e Veriut dhe importeve nga Kina të komponentëve me përdorim të dyfishtë, që kanë pasur ndikim në një rritje masive në prodhimin e armëve. Kremlini ka thënë vazhdimisht se Rusia ka njëfarë “imuniteti” ndaj sanksioneve.
E Trumpi ka pranuar aftësinë e Rusisë në anashkalimin e masave.
“Ata janë personazhe dinake dhe mjaft të mirë në shmangien e sanksioneve, kështu që do të shohim se çfarë ndodh”, u ka thënë ai gazetarëve në fundjavë, kur u pyet se cila do të ishte përgjigjja e tij nëse Rusia nuk do të binte dakord për një armëpushim.
Burimi i parë rus ka vënë në dukje se Putini, duke ndjekur konfliktin, po ia kthen shpinën një oferte të SHBA-së të bërë në mars që Washingtoni, në këmbim të marrëveshjes së tij për një armëpushim të plotë, do t’i hiqte sanksionet e SHBA-së, do të njihte zotërimin rus të Krimesë – të aneksuar nga Ukraina në vitin 2014, dhe do të pranonte kontrollin de facto rus të territorit ukrainas të pushtuar që nga viti 2022.
Burimi e ka quajtur ofertën një “shans fantastik”, por ka shtuar se ndalimi i një lufte ishte shumë më i vështirë sesa fillimi i saj. /Koha