Në deklaratën e parë zyrtare nga pala ruse pas takimit të zhvilluar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të presidentit amerikan, Steve Witkoff, ndihmësi i Kremlinit dhe ish-ambasadori rus në SHBA, Yuri Ushakov, u tha gazetarëve se bisedimet, ishin “të dobishme dhe konstruktive”.
Ushakov është shprehur se Rusia “mori disa sinjale nga Trump” dhe “dërgoi disa sinjale” në përgjigje, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen e këtyre mesazheve.
Raportohet se ai tutje ka thënë se Putin dhe Witkoff diskutuan edhe për mundësinë e zhvillimit të një “partneriteti strategjik” mes SHBA-së dhe Rusisë në të ardhmen.
Kujtojmë se presidenti amerikan ka paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda, ose me sanksione dytësore kundër të gjitha vendeve që bëjnë tregti me të, nëse nuk merr hapa drejt përfundimit të “luftës së tmerrshme” me Ukrainën.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do të bëjë lëvizje serioze drejt paqes vetëm nëse i mbarojnë paratë. Ai e ka mirëpritur kërcënimin e Shteteve të Bashkuara për sanksione më të ashpra dhe tarifa mbi vendet që blejnë naftë ruse.
BBC shkruan se pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta, ndërsa Rusia vazhdon sulmet ajrore në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, pavarësisht kërcënimeve të Trumpit për sanksione.
Rikujtojmë se tre raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk kanë arritur të sjellin paqe as tre vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit të plotë nga Moska.